Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar ditën e djeshme të gjithë deputetët dhe ministrat se do të përballen me drejtësinë, nëse janë të përfshirë në afera. Pas fjalimit të tij për ministrin Fatmir Xhafaj, shefi i qeverisë vijoi mbledhjen e grupit të Partisë Socialiste me dyer të mbyllura, ku ka dhënë një sërë porosish dhe udhëzimesh për ligjvënësit socialistë.
Gazeta mësoi disa detaje nga mbledhja, teksa i pari i qeverisë ka qenë i prerë me deputetë dhe ministrat e kabinetet qeveritar, duke u shprehur se për asnjë dhe në asnjë rrethanë, nuk do të ketë mbrojtje dhe ndihmë politike nga ana e Partisë Socialiste. Mirëpo, paralajmërimet e kryeministrit Rama kundrejt ligjvënëseve të vetë nuk ndalen me kaq.
Mësohet se gjatë fjalës së tij, Rama ka paralajmëruar se në kuadër turit të llogaridhënies në ditët në vijim do të shkarkohen shumë drejtorë. Dhe për këtë, i pari i qeverisë i është referuar numrit të madh të ankesave të qytetarëve, që kanë shkuar në adresë të platformës së bashkëqeverisjes për drejtorë apo institucione të caktuara.
Në të njëjtën kohë, burimet thanë se shefi i qeverisë ka kërkuar nga deputetët dhe ministrat që gjatë takimeve që do të kenë me banorë në qytete dhe njësi administrative të vendit, në kuadër të turit të llogaridhënies, duhet të nxisin qytetarët që të bëjnë sa më shumë denoncime tek platforma, në mënyrë që të marrin zgjidhje të menjëhershëm për shqetësimin e tyre.
Ndërkohë, mësohet se shefi i ekzekutivit ka kërkuar që të vijohet me reformën në administratë, duke kërkuar që të shkarkohet çdo “grabitqar” nga zyrat e shtetit. Gjithashtu, Rama ka kërkuar nga deputetët që të koordinojnë dhe të harmonizojnë punën e tyre me zyrat e punës, si një mënyrë për të zbutur papunësinë. Megjithatë, mbetet për t’u parë në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht.
Xhafaj jep sqarime para grupit të PS
Interesant është fakti se në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, përveç kryeministrit Edi Rama, ka folur pak edhe ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Gazeta mësoi se ministri Xhafaj ka mbajtur një fjalë të shkurtër para kolegëve socialistë, duke pohuar para të gjithëve se nuk ka asnjë lidhje, me ato që ai i quajti “baltosje” të opozitës.
Po ashtu, mësohet se Xhafaj është përbetuar se kryefjala e tij sa i takon pozicionit të tij si ministër dhe deputetë është vetëm një, zbatimi me korrektësi i ligjit, duke hedhur në një farë mënyrë poshtë pretendimet e opozitës. Madje, mësohet se Xhafaj ka qenë i prerë duke kërkuar që kushdo që ka shkelur, shkel dhe do të shkelë ligjin, duhet të përballet me drejtësinë, qoftë ky socialist, demokrat apo pa parti.
Megjithatë, në përfundim të fjalës së tij, ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj kishte rezervuar edhe një falenderim për gjithë deputetë dhe ministrat socialistë.
Burimet i thanë gazetës se në përfundim të mbledhjes, Xhafaj ka falënderuar një më një deputetët e Partisë Socialiste dhe ministrat. “Ju shpreh falënderimin tim dhe mirënjohjen time për suportin që më keni dhënë”, mësohet t’iu ketë thënë Xhafaj deputetëve socialist para se të linte Kryesinë e Kuvendit.
Bëjmë me dije se dje, kryeministri Edi Rama i hoqi të gjitha përgjegjësitë ministrit të Brendshëm në lidhje me dënimin e vëllait të tij Agron Xhafaj në Itali. Ndërsa për sa i përket audio-përgjimit të publikuar nga Partia Demokratike, Rama theksoi se nuk është autentik, por sipas tij, një mashtrim./ SOT