Pak ditë më parë dogana hollandeze bllokoi në portet e veta një sasi të madhe me oriz nga Kina.
Analizat e kontrollit të cilësisë verifikuan se orizi që tentohej të futej në tregjet evropiane ishte gjenetikisht i modifikuar. Pra bëhet fjalë për ndalimin e ngarkesave të para me oriz OMGJ në Evropë.
Vendet e Bashkimit Evropian e kanë të ndaluar me ligj tregtimin e produkteve të gatshme ushqimore që janë gjenetikisht të modifikuara, omgj.
Autoritetet hollandeze sipas burimeve të AgroWeb.org, bllokuan ngarkesat dhe lajmëruan të gjitha doganat homologe të vendeve të BE-së për rezultatin e analizave të orizit omgj kinez dhe kërkesën e refuzuar për të hyrë në treg.
Por çfarë është Orizi OMGJ, i quajtur Orizi i Artë?
Orizi i Artë është orizi i modifikuar gjenetikisht për t’i shtuar vlera ushqimore si vitamina A. Modifikimi gjenetik lejon përshpejtimin e fotosintezës, rezistencën ndaj dëmtuesve, rritjen e madhësisë së kokrrës, rritjen e shijes dhe prodhimin e proteinave njerëzore.
Gjigandët e produkteve OMGJ, Monsanto dhe Bayer CropScience shpikën që në vitin 2000 orizin e modifikuar gjenetikisht, por asnjëherë nuk arritën që të merrnin aprovim për kultivim në masë.
Agjensia e lajmeve Reuters njofton se në vitin 2009, Kina ishte vendi që e aprovoi orizin omgj, por deri në vitin 2012, ky oriz nuk u kultivua masivisht dhe as doli në treg.
Përpjekjet për ta lejuar përdorimin në vendet e Bashkimit Evropian nuk kanë qenë aspak të suksesshme.
Japonia dhe Rusia e kanë të ndaluar importin e orizit omgj, ndërkohë që Bashkimi Evropian ka marrë masa edhe më të ashpra duke kontrolluar dhe analizuar për prani të omgj në çdo ngarkesë orizi që prek pikat doganore të BE-së.
Kontradiktat dhe debati rreth OMGJ është shumë shqetësues
Moslejimi i OMGJ përfshin çështje të sigurisë ushqimore, ndikimin në mjedis, etiketimin e produkteve, rolin në përmbushjen e kërkesave ushqimore botërore dhe rolin në bujqësinë industriale.
Oriz i artë omgj është një kulturë bujqësore e modifikuar gjenetikisht dhe e biofortifikuar. AgroWeb.org raporton se modifikimi rrit rezistencën e të mbjellave dhe i bën ato të paprekshme nga sëmundjet.
Oriz i artë modifikohet gjenetikisht për të prodhuar beta karoten, i cili normalisht nuk prodhohet në oriz. Beta karoteni konvertohet në Vitamina A kur përthithet nga trupi i njeriut.
Si mund ta dallojë konsumatori?
Në foton e lajmit mund ta dalloni qartë ngjyrën artificialisht të verdhë të orizit të modifikuar gjenetikisht.
Nëse ngjyra e orizit është e verdhë e ndezur, atëherë kontrolloni mirë paketimin për të mësuar origjinën e mallit. Asnjë ngjyrë natyrale e orizit nuk është e verdhë e ndezur.
Etiketimi dhe gjurmimi
Të gjitha produktet ose ushqimet që përmbajnë më shumë se 0.9% OMGJ të aprovuar duhet të etiketohen. AgroWeb.org raporton se në etiketë duhet të shkruhet qartë origjina dhe përmbajtja e produkteve gjenetikisht të modifikuara.
Komisioni Evropian këmbëngul që produktet e orizit me origjinë nga Kina mund të lejohen në qarkullim, vetëm nëse shoqërohen me një raport analitik ku tregohet se nuk janë produkte të modifikuara gjenetikisht.
AgroWeb.org ka ngritur edhe më parë problemin e kontrolleve të orizit që depërton në tregun shqiptar.
Pas kërkesës së AgroWeb.org për informacion në lidhje me orizin, autoritetet shqiptare kanë njoftuar zyrtarisht që Shqipëria nuk importon direkt oriz nga Kina.
Por nga ana tjetër, nuk është qetësues fakti që vendi ynë importon oriz nga vende si Bullgaria, Rumania, Greqia dhe Maqedonia, asnjë prej të cilave nuk është vend prodhues i orizit, por vende të tranzitit të mallrave kineze.