Diten e diele ne “Niko Dovana” është luajtur ndeshja e parë për llogaritë e “play-off”-it të Kategorisë së Parë.
Kjo përballje u mbyll me barazimin 2-2 pas 120 minutave. Gjuajtja e penalltisë ishte e pafat për “Labët”, të cilët humbën shansin më të mirë që të kapnin për herë të parë Kategorinë e Parë. Vllaznia B buzëqeshi më në fund, duke iu falur eksperiencës së lojtarëve të saj, pasi triumfuan me rezultatin 4-3 te penalltitë.
Vllaznia me Dyca-n në minutën e 33 ndryshoi rezultatin duke i çuar shifrat në 1-0, ndërsa pas këtij momenti kuqeblutë u mbrojtën mjaft mirë, sepse Dhrami kërkoi që të baraspeshonte rezultatin në disa raste, por pa arritur ta bëjë diçka të tillë.
Ndërsa, pjesa e dytë nisi me ndryshime për Orikun e Artan Sakajt, ku la lojën Nurçe dhe vendin e tij e mori Qejvani. Sërish ishin “Labët” që kërkonin golin, madje arritën që të barazonin shifrat në minutën e 67 me Hoxhën. Megjithatë, festa e bregdetarëve zgjati vetëm tre minuta. Pusi në minutën e 70 çoi shifrat në 2-1, duke i dhënë qetësinë skuadrës së Ervis Krajës.
Pavarësisht kësaj orikasit nuk u dorëzuan, kërkuan me insistim golin, por Dhrami në këtë sfidë nuk ka qenë me fat. Gjuajtje të njëpasnjëshme drejt kuadratit të portës së Vllaznisë, por që nuk arritën që të çonin shifrat në barazim.
Në fund të takimit fati do të ishte me skuadrën më të mirë në fushë. Skuadra e Orikut ka arritur që të fitojë një 11-metërsh me anë të Kongjinit. Gjyqtari Kridens Meta ka parë një faull brenda zonës në minutën e fundit të kohës shtesë, duke i dhënë një shans Orikumit për kohën shtesë. Nga pika e bardhë e penalltisë ekzekutoi Dhrami, i cili gjuajti saktë dhe e çoi rezultatin 2-2 për ta dërguar në shtesën 30 minutësh ndeshjen e “play-off”-it.
Por, ndeshja në minutën e 117 solli dhe një sherr masiv në fushë. Megjithatë, loja vijoi deri në përfundim, ku fërshëllima përfundimtare e Kridens Metës solli që ekipet të vendoseshin te pika e bardhë e penalltisë. Vllaznia arriti që të ishte më e saktë në goditjen e 11-metërshave, ku arritën që të fitonin 4-3.