Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar ditën e djeshme arrestime të bujshme. Pas akuzave të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha sa i takon dorëheqjes së Saimir Tahirit nga mandati i deputetit, por edhe ndalimit të Arbër Çekajt në Gjermani, shefi i qeverisë theksoi se arrestimet e bujshme nuk do të ndalen. “Dhe nuk ka mbaruar jo, të tjera do pasojnë në javët që vijnë e jo se e kërkon Gjermania a bota, po se ne themi atë që bëjmë e bëjmë atë që themi!E jemi ne e askush tjetër që mund ta kalojë detin që ndan të thënat nga të bërat,sado baltë të na hedhin dhe zjarre marazi të ndezin”, deklaroi ai.
Ndërkohë, kryeministri Edi Rama shprehu habi lidhur me deklaratat e opozitës në adresë të tij. I pari i qeverisë iu kundërpërgjigj Partisë Demokratike duke i thënë se nuk mbështet arrestimet, pasi sipas tij, drejtohet nga vulëhumbur pa atdhe.
Megjithatë, kreu i ekzekutivit shtoi se pavarësisht sjelljes dhe qasjes së opozitës, mazhoranca qeverisëse është e vendosur që të ndërtojë Shqipërinë. “Ç’është kjo opozitë pikë e vrer pas largimit të ST e arrestimit të kokave të trafikut të kokainës në Gjermani&Spanjë falë bashkëpunimit tonë ndërkombëtar? Sa gjynah më vjen për ata që ende u besojnë këtyre vulëhumburve pa atdhe. Po duan s’duan këta Shqipërinë do ta bëjmë”, nënvizoi kryeministri Edi Rama.
Rama akuza opozitës
Kryeministri u ka dërguar dy ditë më parë dhe një mesazh tjetër eksponentëve të opozitës. Duke folur për mediat, shefi i qeverisë i përmendi Bashës aferën e rrugës Durrës-Kukës, kur shpëtoi me raport mjekësor. Ndërsa po ashtu i kujtoi Berishës ngjarjen e “21 Janarit”. Madje, ai akuzoi Sali Berishën, Lulëzim Bashën dhe Monika Kryemadhin se këtë sjellje e bëjnë, pasi sipas tij, janë të trembur nga reforma në drejtësi.
“Në Gjermani në Komisionin e Çështjeve Evropiane, unë thjesht i jam përgjigjur interesimit të një deputeti për këtë çështje duke dhënë edhe shpjegime bazuar në qëndrimin tonë që është publik këtu. Sa për lojën, lojë është t’i ikësh drejtësisë me raporte mjekësore siç ka bërë Lulzimi. Lojë është t’i ikësh drejtësisë duke e shantazhuar hapur dhe duke mos zbatuar urdhër-arrestet e prokurorisë siç ka bërë Saliu bashkë me Lulzimin pas 21 Janarit. Lojë është gjithçka që ka ndodhur me drejtësinë në gjithë këto vite.
Ndërkohë që sot, Saliu, Monika, Lulzimi janë shumë të shqetësuar, sepse pikërisht kjo lojë po ndryshon. Dhe nuk jemi më në fushën e lojës së vjetër , por jemi në një fushë të re ku po mbillet dhe po çel fara e një drejtësie të re”, deklaroi ai. Reagimi i kryeministrit Edi Rama erdhi pas deklaratave që Berisha e Kryemadhi thanë se ja kërkuan në Gjermani dorëheqjen e Tahirit.
Po ashtu, Rama ka hedhur poshtë akuzat e opozitës se ishte ai që i kërkoi Saimir Tahirit të jepte dorëheqjen nga posti i deputetit. Shefi i qeverisë ka folur mbi veprimin e ish-ministrit, duke e cilësuar si një akt dinjitoz. Madje, ai theksoi se nuk ka pasur fare dijeni se ai do të jepte dorëheqjen. /SOT