Partia Demokratike vijon përgatitjet për protestën e 26 majit, ku do të kërkojë dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Kryedemokrati Lulzim Basha mblodhi mesditën e sotme grupin parlamentar të PD, ku ka folur shkurt lidhur me aksionin e të shtunës.
Basha ka kërkuar të shpërndahen fletëpalosje me mesazhe kundër kryeministrit Edi Rama dhe ministrave të tij. Report Tv ju sjell më poshtë fletëpalosjet që do iu shpërndahen qytetarëve, ku shfaqen ministrat e qeverisë, ndërsa shkruhet se ata janë me krimin për para dhe pushtet.
Ndërsa në një fletëpalosje tjetër shkruhen qëllimet e protestës së opozitës, ku ndër të tjera thuhet se aksioni bëhet për një jetë më të mirë dhe për shpresë për çdo shqiptar. Sa i takon seancës plenare të ditës së enjte, mësohet se do të përsëritet e njëjta situatë si javën e kaluar.
Basha ka porositur deputetët e tij të bllokojnë foltoren, sapo ai të mbarojë fjalën në foltoren e Kuvendit. ashtu siç ndodhi edhe të enjten që lamë pas, demokratët mbajtën peng foltoren, duke transmetuar seancën live nga ‘Facebook’, ndërsa më vonë u shpërndanë, pa lejuar zhvillimin normal të seancës plenare.