Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka shkuar sot rreth orës 10.30 në Parlament, pak përpara nisjes së diskutimit të projektligjeve. Opozita ka premtuar bllokimin e kësaj seance deri në dorëheqjen e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj.
Para se të futës në Parlament, Basha ka përshëndetur gazetarët duke u thënë “mos u mërzisni, nuk keni parë asgjë akoma”.
Opozita zhvilloi edhe dje një protestë para ministrisë së Brendshme, pak orë pasi kryeministri Rama deklaroi se ministri i tij nuk ka asnjë përgjegjësi për të vëllain, për të cilin PD-ja ka publikuar një audiopërgjim.