Detyrat dhe objektivat e mësipërme, mund të realizoheshin nëpërmjet organizimit me pagesë të një rrjeti të fshehtë spiunazhi, i aftë për të depërtuar deri në zemër të armikut, madje në dislokimet e tyre. Ky rrjet kishte si detyrë të grumbullonte sa më shumë të dhëna konkrete , të besueshme, të sakta për numrin e forcave, mjeteve dhe lëvizjeve të armikut. Ky rrjet i fshehtë u shtri jo vetëm sipër në Dukat, por për gjatë gjithë bregdetit të Vlorës, Durrësit mandej dhe brenda në kryeqytet duke raportuar rregullisht te njerëzit e ngarkuar nga ky mision.
Këto të dhëna pasi seleksionoheshin, kaloheshin në sitë nga ekspertët. Transmetoheshin telegrafisht në seksionin shqiptar të zbulimit me qendër në Bari. Duhet theksuar se për veprimtarinë konkrete të këtij misioni nuk ka pasur shumë material të shkruar, me përjashtim të librit me titull “Tetë orë larg Anglisë” të shkruar nga Anthony Quayle në vitin 1945. Por në vitin 1995 një nga këta pjesëmarrës në këtë mision, kapiteni Xhejm Hadsën ka paraqitur në një libër kujtimet e tij për Shqipërinë.
Ky burrë mjaft interesant më datën 6 prill të vitit 2009 do të jepte dëshminë e tij edhe në televizionin kombëtar Top Channel në emisionin Shqip të gazetares Rudina Xhunga. Më pas kanë dhënë dëshminë e tyre, nëpërmjet disa intervistave të gazetarit shqiptaro amerikan Peter Lucas, të cilat janë të përmbledhura te libri i tij “Misioni Amerikan në Shqipëri”, botuar në shqip në vitin 2007. Një nga të intervistuarit e gazetarit Peter Lucas në janar të vitit 2007 kur kishte mbushur 91 vjeç ishte dhe serbo-amerikani Nik Kukiç. Në këto dëshmi duket si drita e diellit kontributi real dhe me pasoja të rënda për gjithçka i banorëve të Dukatit.
Agjentët e misionit amerikan në krahasim me ata anglezë kishin një farë epërsi në grumbullimin e informacioneve për shkak se agjentët e tyre të ardhur në Shqipëri ishin rekrutuar nga djem të familjeve ballkanase që kishin emigruar me kohë në ShBA siç ishin edhe ato shqiptare. Dy nga këta agjentë, që jepnin e merrnin informacione në Panorama ishin aktori amerikan Sterling Hayden i lindur në Montclair, New Jersey me emrin Sterling Relyea Walter, dhe Nik Kukiç me origjinë serbo-amerikane, të cilët që të dy ishin të anëtarësuar në partinë komuniste në Amerikë dhe kishin një admirim të pashembullt për komunistët serbë. Sterling Hayden , ishte oficer i zoti i korpusit të Marinës Amerikane dhe drejtonte anijet që kalonin Adriatikun për në brigjet shqiptare dhe ato jugosllave.
Këtë oficer majori anglez Anthony Quayle nuk e honepste dot pasi ai anijen nuk e afronte në afërsi të bregut, madje sipas Queil kishte sjellë si pasojë mbytjen e disa ushtarëve italianë që kishin tentuar me not për të hipur në anijen e tij që do të rikthehej në Itali. Siç e thonë të gjitha dëshmitë Sterling Hayden kohën e tij më të madhe gjatë luftës e kaloi në Jugosllavi duke fituar admirimin e mareshalit Tito. Por mbas lufte ai do të ishte temë e bisedave të pjesëmarrjes së tij në Parinë Komuniste. Në vitin 1951 ai do të dëshmonte para komisionit të aktiviteteve jo amerikane të kongresit se ishte futur në Partinë Komuniste në qytetin e Bostonit qysh në vitin 1940. “Futja në këtë parti , kishte qenë gabim”- u tha ai atyre.
Sipas dëshmive të Hadsën dhe Nik Kukiç del se rol kryesor në këtë mision, siç u tha dhe në fillim, ka luajtur shqiptari tiranas Ismail Karapici. Ai ishte i vetmi që krijoi një sistem efektiv të fshehtë për llogari të amerikanëve për gjatë gjithë rajonit perëndimor të Shqipërisë. Por aktiviteti i tij u ndërpre me vrasjen e tij më 17 janar të vitit 1944, për të cilin u akuzua dukatasi Mislli Kali, i cili ishte i punësuar në misionin aleat, por që ishte një agjent i dyfishtë. Vrasja e tij u bë në vendin e quajtur Hunda e Bulgërit. Ai u nis nga Panorama për të kryer misionin e tij sekret i shoqëruar nga Mislli Kali. Gjatë rrugës ai do të vritej. Kjo vrasje mbeti mister dhe iu faturua Mislli Kalit, i cili nuk kishte gisht në këtë punë. Ai vetëm sa e nxori në shteg që Karapici tu bashkohej shokëve të tij komunistë. Nga të dhënat që kam marrë për të ishte se Ismail Karapici ishte një trup shumë i fuqishëm, kishte mbaruar akademi ushtarake në Itali dhe fliste një italishte të përsosur. Duhet theksuar fakti se gjatë sulmit që u bë mbi Dukat ai jepte të dhëna me radio bashkë me Kukiçin dhe kur ndodhi kasaphana ai u distancua duke i thënë Anthony Quale-t se “unë jam komunist, por nuk jam terrorist.” Anthony Quayle u bë i padurueshëm për komunistët dhe donin t’i bënin kurth e ta zinin gjermanët brenda në shtëpinë e Xhelil Çeloaliajt.
Për këtë në mënyrë të tërthortë flet dhe Anthony Quale tek libri i tij ku thotë se Xhelili i kishte thënë shprehimisht: “Majori Quayle, ju nuk duhet të vini pranë shtëpisë sime po qe se shikoni një mercedez të zi. Ajo është makina e kolonelit gjerman.” Po ashtu në këtë libër majori thotë se si Xhelili e kishte porositur që të mos shkonte askund pa e njoftuar pasi në rast të kundërt nuk do të mbante përgjegjësi për jetën e tij. Karapici kishte marrë urdhër që si agjent i dyfishtë duhet të dorëzonte majorin anglez te gjermanët. Edhe dukatasit e morën vesh këtë gjë, siç ma kanë thënë personalisht dy dëshmitarë okularë që shërbenin si roje pranë misionit dhe Karapici nuk po e zbatonte këtë urdhër, pasi ishte njeri i ndershëm dhe nuk ishte terrorist po idealist. Madje Kukiç, për vrasjen e Karapicit thotë shprehimisht: “Unë besoj se Hoxha e ka ekzekutuar atë. Ai nuk e pëlqente atë pasi punonte për ne amerikanët dhe ai mund të hynte midis ballistëve dhe gjermanëve.
Çfarë komunisti ishte ai? Karapici kishte për detyrë vetëm të shkonte gjithandej e të mblidhte informacione. Hoxha donte ta prishte këtë mekanizëm ndaj dhe e vrau atë. ” Që Mislliu nuk gishte gisht në vrasjen e tij u duk qartë edhe në manovrën që ndërmori Komanda e Brigadës V duke dërguar një çetë partizane për kapjen e tij në Jonufër, ku më 2 mars 1944 organizoi në Ramicë dhe një gjyq partizan për dënimin e tij. Në fakt dëshmitarët në këtë gjyq do ta cilësonin Mislliun një patriot sepse, sipas tyre i kishte bërë një shërbim të madh Partisë sepse kishte vrarë një spiun në shërbim të së huajve. Lirimi i tij nënkupton se ishte bërë gjithçka me urdhër prej tyre.
Në shërbim të misionit aleat dhe konkretisht të OSS-IT , sipas Peter Lucas, ndër më kryesorët, përveç Xhelil Çeloaliaj ishin dhe dukatasit: Xhelo Seferi, i cili kishte qenë dakord dhe kishte marrë përsipër të mbulonte zonën e Tiranës duke seleksionuar gazetat e përditshme dhe periodike që dilnin në atë kohë nga qeveria e Regjencës dhe gjermanët. Përveç këtyre ishin dhe Xhevit Hamiti, Murat Ferruni, Zeqir Isai (Haskoçela), Axhem Çeloaliaj, e shumë të tjerë, të cilët luftuan për një demokraci perëndimore dhe këta pa të drejtë më vonë u cilësuam me epitete që nuk u takonin.
Pas situatës që u krijua pas vrasjes së Karapicit, me gjithë sigurinë që dukatasit u dhanë aleatëve të kësaj baze për tu qëndruar besnikë atyre e, duke mos i tradhtuar, prapëseprapë, qëndrimi në Gjirin e Gramës për ta, u bë i pasigurt. Kjo edhe për shkak se baza nga data 10 deri më 20 shkurt u sulmua nga gjermanët, prandaj edhe personeli sipas informacionit të marrë qysh më parë, u detyrua të lëvizte nga njëri territor në tjetrin brenda Dukatit.
Është interesant edhe fakti se gjatë kësaj lëvizjeje personeli aleat mbante lidhje me anën e radios me qendrën e tyre në Bari, por për një kohë të shkurtër gati një javë ata mbetën pa ndërlidhje., sepse në Panorama do të linin motorin e karikimit të baterive. Këtë vështirësi do ta zgjidhte dukatash Zeqir Isai, i cili do të shkonte në mes të dimrit dhe plumbave në Gramë duke e sjellë motorin të ngarkuar në një mushkë . Por vështirësia tjetër ishte dhe mungesa e karburantit për furnizimin e këtij motori. Përsëri edhe këtë mangësi Zeqiri do ta zgjidhte me zgjuarsi, por edhe me shumë rrezik. Ai mori një trastë me vezë dhe i doli përpara një makine ushtarake gjermane për ta ndaluar. Në këmbim të vezëve shoferi gjerman do t’i mbushte një bidon me benzinë, me të cilin u vendos motori i karikimit që ishte vendosur në Ramje. Megjithatë, peripecitë dhe shqetësimet e misionit aleat dhe të vetë Dukatit nuk kishin të sosur pasi forcat gjermane në operacionin e koduar “Horidoh” që ndërmorën në Qarkun e Vlorës dhe në krahinën e Dukatit prej datës 26 shkurt deri më 15 prill, duke pasur si qëllim thyerjen e rezistencës anti-gjermane dhe krehjen e zonës për të kapur të gjallë misionet aleate.
Zhgënjimi dhe pasojat e Dukatit nga misionet aleate
Gjatë ditëve të muajit prill 1944 misioni kaloi disa ditë të vështira dhe për t’iu fshehur kapjes nga gjermanët ky mision u nda në dy pjesë. Tom Stefani me dy prej tyre u ngjit malit të Tragjasit, ndërsa Hadsën, Kukiç dhe disa dukatas u fshehën në malin e Ramjes në Dukat. Pas qetësimit të situatës Tom Stefani së bashku me radistin Ruci, u nis për në Odriçan duke marrë takim me Enver Hoxhën. Aty u prezantua si shef i OSS. Të vetmit që mbetën në Dukat ishin Hadsën dhe Nik Kukiç. Me mbërritjen e tyre në Gjirin e Gramës ata konstatuan se materialet e kampit të improvizuar ishin shkatërruar dhe vjedhur nga barinjtë. Për këtë qëllim ata do të kërkonin nga kryepleqtë e fshatit që këto materiale të ktheheshin përsëri në kamp, mirëpo kjo kërkesë e tyre ishte e vështirë të realizohej sepse kampi kishte qenë pa roje dhe si rrjedhim nuk mund t’i kërkoje llogari askujt, as fshatarëve dhe as italianëve të mbetur aty mbas kapitullimit