Një 62 vjeçar humbi jetën nën një masiv gurësh në një nga galeritë e nxjerjes së kromit në Bulqizë paraditen e së premtes. Viktima e radhës në minierën e Bulqizës quhet Medi Hidri dhe sipas policisë “ishte duke kontrolluar frontin, (kur) është shembur një masiv shkëmbor i cili i ka shkaktuar vdekjen”.
Policia nuk bëri me dije në njoftimin paraprak, ashtu si edhe në raste të tjera, se cila nga kompanitë e menaxhonte galerinë- nga më shumë se 100 të tilla që operojnë në Bulqizë. Sipas saj, aksidenti ka ndodhur sërish në Zonën D. Policia thotë se “vijojnë hetimet në vendngjarje dhe po punohet të zbardhen shkaqet”.
Hidri është i shtati minator që humb jetën në galeritë e zonës së Bulqizës brenda 7 muajsh. Ndërkohë, megjithë pretendimet e autoriteteve për hetime, BIRN gjeti në disa shkrime të mëparshme se në shumicën dërrmuese të rasteve, faji u lihej viktimave dhe në pak të tjera kolegëve të tyre minatorë.
Gjatë dekadës së fundit, rreth 300 minatorë kanë humbur jetën në të gjithë vendin si pasojë e aksidenteve në miniera. Por pavarësisht bilancit tragjik të viktimave, asnjë drejtues kompanie nuk është ndjekur penalisht gjatë tre viteve të fundit nga Prokuroria e Dibrës.
Nga informacionet mësohet se kjo galeri administrohet nga Sajmir Mane, i cili në vend që të rrisë standardet e sigurisë shfaqet sikur bën bamirësi.
“Varfëria nuk është natyrore, ajo është e krijuar nga sistemi ku jetojmë i cili na detyron që parajsa e Samirit të jetë ferri jonë. Bamirësia jo vetëm që të varfëron po të çon në mizerje pasi të mbyll gojën për të kërkuar drejtësi me një pako makarona dhe krijon idenë që varfëria po zhduket, ndërkohë që ajo vetëm sa po thellohet.
Sot e vetmja mënyrë që mjerimi të zhduket është ORGANIZIMI, ku të gjithë bashkë t’i marrim privilegjet Samirit dhe t’i kthejmë në të drejta duke ndërtuar një shoqëri ku zhvillimi yt të jetë edhe zhvillimi jonë dhe anasjellta.
Sot në zonën D të minierës së Bulqizës është vrarë në punë minatori Medi Hidri. Kjo është fytyra e vërtetë e kapitalizmit dhe jo kjo foto.
Mëshira, bijë bastarde e etërve dinakë!”, shkruan aktivisti Kristjan Zoto.