Euro është në “rënie të lirë” dhe lajmi më i keq është për ata që mund të kenë euro për të kthyer në lekë ditën e sotme, pasi Euro këmbehet vetëm me 126.50 Lekë, ndërsa në blerje kap vlerën 127.4 Lekë.
Ky është një rekord i Euros që thyen atë të shkurtit 2009.
Sipas Scan në rënie shfaqet edhe paundi britanik, i cili ka zbritur në nivelin e 144 lekëve. Tregjet duket se po ecin në errësirë sa i takon kësaj valute, prej mungesës së të dhënave mbi politikën monetare të Bankës së Anglisë. Ndërkohë, fryma e skepticizmit sa vjen e shtohet me përparimin pa progres të negociatave për daljen nga Bashkimi Europian.
Ndërkohë, në rritje ditën e sotme është shfaqur dollari amerikan, i cili ka rifituar disa prej humbjeve të ditës së djeshme. Dollari këmbehet sot për 107.6 lekë në shitje dhe 108.5 lekë në blerje. Momenti pozitiv i valutës së SHBA ndjek ecurinë e tij ndaj shportës së valutave kryesore në tregje.
Sa i takon valutave të tjera, dollari australian dhe ai kanadez kanë rënë përkatësisht në 81 lekë dhe 83.4 lekë, ndërsa franga zvicerane ka fituar plot 1 pikë ndaj lekut krahasuar me ditën e djeshme, duke arritur në kuotën e 108.5 lekëve.
Sakaq monedha e cila po “shembet” është lira turke, e cila është zhvlerësuar ndjeshëm duke zbritur në nivelin e 22.4 lekëve, ndërkohë që javën e kaluar ishte në vlerat 24.37 lekë.