Loading...

“Më rrezikohet jeta”, Albert Veliu kërkon azil në Kosovë

Albert Veliu, që ndryshe njihet si “Dëshmitari X”, është ndaluar të dielën nga Policia e Kosovës. Ai u ndalua në afërsi të Prishtinës bashkë me të birin dhe sipas burimeve nga Policia vendëse, dyshohet për kalim të paligjshëm kufiri.

Albert Veliu, për të cilin Prokuroria e Krimeve të Rënda vijon hetimet, u bë i njohur nga audio-përgjimi i pretenduar me Agron Xhafajn, vëllain e ministrit të Brendshëm. Policia e Shtetit tha dje se ende nuk ka ndonjë informacion zyrtar nga Policia e Kosovës, megjithatë nga të dhënat paraprake dyshohet të ketë kaluar ilegalisht kufirin.

Fillimisht lajmi u bë i ditur nga mediat kosovare dhe më pas u konfirmua edhe nga Policia e Kosovës, por pa dhënë detaje mbi arsyet e ndalimit. Veliu dhe djali i tij mësohet se janë ndaluar ditën e diel dhe dyshohet se kanë kaluar në territorin e Kosovës nga kufiri i gjelbër. Kjo, pasi nga verifikimet e kryera në sistemin e Policisë Kufitare, nuk ka rezultuar që ai të jetë regjistruar në momentin e kalimit.

“Mund t’ju konfirmojmë se Policia e Kosovës bazuar në autorizimet ligjore, më datë 27.05.2018, ka ndaluar dy shtetas të Republikës së Shqipërisë. Të ndaluarit janë trajtuar sipas procedurave ligjore”, tha zyrtarisht dje Policia e Kosovës, pa saktësuar arsyet e ndalimit apo veprat penale, për të cilat ata akuzohen.

Ndërsa Prokuroria e Përgjithshme tha dje se për Albert Veliun nuk ka asnjë urdhër ndalimi dhe as urdhër për ekzekutimin e ndonjë vendimi Gjykate. Ndërsa konfirmoi se Prokuroria e Krimeve të Rënda po vijon hetimet për “trafikim narkotikësh”.

Dyshohet se “Dëshmitari X” mund të ketë pasur qëllim kërkimin e azilit në vendet e Bashkimit Europian. Megjithatë, burime jozyrtare thanë dje se pas ndalimit ai tashmë ka kërkuar azil në Kosovë, me pretendimin se i rrezikohet jeta pas publikimit të audio-përgjimit.

Pas publikimit të videos dhe dëshmisë së dhënë për vëllain e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, Albert Veliu u pyet disa orë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Në pyetje u morën edhe 3 zyrtarë të Partisë Demokratike, ndërkohë që Prokuroria është në pritje të rezultateve të një laboratori jashtë vendit, ku audio-përgjimi është dërguar për ekspertizë. Ditën kur Partia Demokratike transmetoi video-dëshminë e Albert Veliut, ai tentoi të largohej me taksi në drejtim të Kosovës.

Por në hyrje të Kukësit, në një lokal ai është ndaluar nga Forcat Operacionale, të cilat e kthyen në Tiranë, pasi do të merrej në pyetje nga hetuesit. Javën e shkuar prokurorët e Krimeve të Rënda për më shumë se 5 morë e morën në pyetje Albert Veliun për llogari të hetimeve nisur për Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, për veprën penale të “Trafikimit të narkotikëve” dhe “Kallëzimit të rremë”, shkruan Panorama.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com