Loading...

Lirim Nezha zbardh kalvarin e vuajtjeve të Dukatit,faktet dhe botimet anashkaluara !

Nga Lirim Nezha.

Ndonëse gjatë këtyre viteve të fundit është folur dhe shkruar shumë për Dukatin ,kryesisht prej bijve të vet të penës,si një prej fshatrave më të mëdhenj nacionalistë të Shqipërisë,gjithsesi është thëne shumë pak për opozicionin dhe raportet e tij me komunizmin në segmentin kohor prej 50 vjetësh. Vuajtjet e këtij fshati martir gjatë regjimit të egër diktatorial nuk kanë të sosur e nuk mund të përfshihen brenda kornizave të një shkrimi sado i kompletuar të jetë. Do të duhen njerëz të guximshëm që natyrisht nuk do t’i përkasin këtij brezit të sotëm që do të mund të shkruajnë volume të tëra për të nxjerrë në dritë mizoritë e pafundme të pesë dekadave famëkeqe nën cizmen e kuqe.

Unë sot,përmes këtij shkrimi do të përpiqem të mos përsëris ato cka janë thënë dhe shkruar në histori,por të bëj të ditura për lexuesin pikërisht ato fakte që të tjerët i kanë anashkaluar,madje edhe disa botime të këtyre viteve të fundit që janë shkruar për historinë e Dukatit.

I gjithë kalvari i vuajtjeve të Dukatit dhe dukatasve nën komunizëm e ka zanafillën e vet në ato pak orë ndjellakeqe te 30 nëntorit duke u gdhirë 1 dhjetor i vitit 1943,kur dy brigada partizane të udhehequra nga Hysni Kapo,Mehmet Shehu,Shefqet Peci,Muhamet Prodani e të tjerë dhe të orkestruar nga emisarët jugosllavë Dushani e Miladini,u orvatën të nënshtronin Dukatin dhe dukatasit me forcën e armëve.Por nuk qe e thënë qe t’u ecte atë natë.Ata u thyen me turp në atë sulm që i bënë një fshati ku jetonin vec shqiptarë e që u mbrojt ashtu sic dinë vetëm shqiptarët të mbrohen.

Por qëllimi i këtij shkrimi nuk është të trajtoj temën e kësaj lufte vellavrasëse sepse për këtë temë kam shkruar herë të tjera.E rëndësishme për të motivuar këto radhë është ajo cka ndodhi me dukatasit pas kësaj dite makabre e deri ne vitin 1991 kur zgjedha e rëndë e komunizmit ra e bashkë me të edhe pesha e persekutimit për shkaqe bindjesh politike.

Persekucioni komunist do të niste menjeherë sapo erdhën në pushtet fitimtarët ,e prej ketij persekutimi aq më pak mund të bënin përjashtim dukatasit dhe Dukati.Menjëherë filloi hakmarrja mizore ndaj krerëve opozitarë dhe familjeve të tyre.Nisën arrestimet e bujshme dhe përndjekja e atyre që ishin konsideruar kundërshtarë politikë gjatë luftës.Kështu u arrestuan dhe u dënuan me vdekje krerët e cetës së Ballit Kombëtar,Maliq Koshena,Hamdi Gjoni e Sinan Hamiti.

Tmerri që mbollën komunistët me ardhjen e tyre në pushtet bënte te dridhej edhe foshnjën në barkun e nënës.Ngado,së bashku me propagandën e tyre famëkeqe,mbollën edhe frikën se askush nuk do t’i shpëtonte asaj që vetëquhej “drejtësia popullore”,e që në të vërtetë nuk kishte asgjë të përbashkët me drejtësinë. Sigurimi i shtetit i mobilizoi të gjithë informatorët dhe mekanizmat shtetërorë kundër reaksionit potent ne Dukat.

Kësisoj,dukatasit që sigurisht nuk kishin qënë pro komunizmit por më së shumti opozitarë me të,nuk mund të ndiheshin të sigurtë. Në cdo cast i priste arrestimi dhe lincimi,pa arsye por duke u paraqitur shkaqe nga më banalet.Ishte kjo dhunë dhe ky terror që në vend t’i tulatte burrat më në zë të Dukatit,ngjalli edhe më shumë zëmrimin e tyre dhe nxiti edhe më shumë reaksionin që edhe ashtu nuk ishte i pakët.Ishte ky presion dhe terror i ushtruar nga pushteti mbi ta që i bëri dukatasit te organizoheshin në grupe antikomuniste dhe të hidheshin në veprim kundër klikes së kuqe të sapo ardhur në pushtet e të cilën nuk e kishin dashur kurrë.

Por komunistët po i forconin pozitat e tyre dhe nuk ishte më e lehtë që t’u dilje ballazi si më 1943-shin.Në këto kushte nuk ngelej rrugë tjeter përvec ikjes nga ky ferr ku gjithsesi do te linin familjet,jetën dhe pronat e tyre për të cilat i kishin dalë aq ballazi ideologjisë komuniste.Përvec arratisjeve të menjëhershme pas luftës të disa krerëve intelektualë si Azem Shehu e ndonjë tjetër,do të pasonte ikja proverbiale e dukatasve ne vitin 1949,ikje që shënoi një goditje për pushtetin në fuqi,ndonëse jo e atyre përmasave sic do të ishte kryengritja e dështuar pak kohë më parë.Bëhet fjalë për kryengritjen e oraganizuar në burgun e Vlorës,një bashkëpunim mes te burgosurve dhe një berthame të fuqishme qe i mbështeste nga jashtë.E gjitha ishte një përpjekje për t’i ikur thonjve të diktaturës.

Dukati ka ndoshta numrin më të madh të viktimave të komunizmit krahasuar me numrin e banorëve.Vetëm të vrarë gjatë Luftës së Dukatit dhe të pushkatuar pas saj jane 16 vetë,bij të nënave dukatase.Atëherë si mund të ishte Dukati me komunizmin kuur rrallë ndonjë familje ngeli pa u prekur nga persekutimi?Po aq sa janë të vrarët dhe të pushkatuarit,po aq të tjerë janë të arratisur për t’i shpëtuar lincimit,plot 16 vetë,shumica e të cilëve vdiqën pa e prekur ditën e lirisë.

Vala e egër e internimeve përzuri nga shtëpitë e tyre 11 familje,ndërkohë që u shpallën kulakë 13 familje të tjera.
Duhet përmendur si një pjesë e rëndësishme e persekucionit edhe presioni permanent i sigurimit te shtetit pëe t’I bere dukatasit informatore e per te arritur keshtu depersonalizimin e tyre.Të gjitha këto vetëm e vetëm që të mposhtnin këtë kështjellë që u kishte ngelur pa marrë.Por,ndonëse komunizmi u ul këmbëkryq edhe në Dukat si në të gjithë Shqipërinë,nuk mundi dot ta vërë përfund.

Dukati dhe dukatasit nuk mund të pajtoheshin me regjimin që i shpronësoi,nuk mund t’i shihnin dot mallin dhe gjënë e tyre te ishin të gjithkujt dhe të askujt.Vetëm pse gjithnjë reagonin me zemërim ndaj pushtetit të dhunës,janë dënuar me burgime të gjata për motive të pastra politike 72 dukatas.Një numër rekord.Po të guxosh të mbledhësh vitet e kaluara në burgje del nje shifer shumë shekullore.Një shifër me të vërtetë marramenëse po të mendosh se 72 familje e më shumë i lanë fëmijët e tyre “nën kujdesin atëror të Partisë” për vite e vite me radhë.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com