Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shqyrtuar dje projektvendimin “Për verifikimin e deklarimeve në formularin e vetëdeklarimit të kandidatit nga listat shumemërore për këshillat bashkiak në zbatim të ligjit nr.138/2015” dhe atë “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione”.
Shkak i kësaj nisme nga ana e KQZ është bërë fakti se 7 këshilltarë bashkiakë kanë dhënë dorëheqjen për shkak të dekriminalizimit dhe dje u bë zëvendësimi me emra të rinj. “KQZ vendosi njoftimin e këshillave bashkiak për vazhdimin e procedurave për dhënien e mandatit kandidatëve të listave shumemërore, për plotësimin e vendeve vakant në këshillat bashkiak si më poshtë:
Qarku Tiranë, Bashkia Kavajë, znj. Xhensila Sqapi;
Qarku Elbasan, Bashkia Elbasan, znj. Tatjana Ziu;
Qarku Fier, Bashkia Divjakë, znj. Agnie Rrusho;
Qarku Shkodër, Bashkia Fushë-Arrëz, z. Hil Kola;
Qarku Shkodër, Bashkia Fushë-Arrëz, Gjelinë Gjoka;
Qarku Vlorë, Bashkia Sarandë, znj. Eneola Qato;
Qarku Lezhë, Bashkia Mirditë, z. Gjergj Marku”, njoftoi KQZ.
Por në mbledhjen e djeshme KQZ, përveç këtyre vendimeve miratoi gjithashtu me 7 vota pro edhe kontratën-tip të shërbimit që do të lidhet me ekspertin financiar për auditimin e financave të partive. Objekt i auditimit nga eksperti financiar do të jenë të gjitha fondet e përfituara dhe të shpenzuara për vitin që lamë pas.
Një veprim i tillë i ndërmarrë nga ana e KQZ ka ardhur në një moment kur dy partitë më të mëdha opozitare PD dhe LSI janë përfshirë në skandalin e lobimeve në SHBA. Skandal që u denoncua nga ana e revistës amerikane “Mother Jones”.
Madje nga investigimi i bërë nga ana e revistës amerikane “Mother Jones”, dolën në pah edhe lidhje mes dy partive shqiptare dhe eksponentëve të ndryshëm rus në çështjen e lobimeve. Për këtë arsye, KQZ duke marrë dhe parasysh dhe mosdeklarimin e plotë të financave nga ana e partive politike ka vendosur që të nisë një hetim mbi të gjitha shpenzimet e bëra nga PD dhe LSI. /SOT