Lokali që shikoni në pamje është vendi ku thuhet se u realizua audio-përgjimi midis Albert Veliut, ose i njohur ndryshe si “Babalja” me të supozuarin vëllain e ministrit të Brendshëm, Agron Xhafa.
Një ambient ku shërbehet kafe, në katin e dyte të një pallati, përgjatë bulevardit Vlorë- Skelë.
Vlonjatët e njohin prej shumë vitesh si pronë e Agron Xhafës, zëri i të cilit hamendësohet se ishte në audio përgjimin, në bashkëbisedim me Babalen për afera të trafikut të kanabisit.
Në lokalin “Miami”, vazhdohet të shërbehet. Fqinjët thanë se klientela nuk ka pësuar rënie. Sikurse ai nuk është mbyllur asnjë ditë megjithëse tashmë dyshohet si strofka ku u gatua përgjimi që shkaktoi skandal, shkruan Abcnews.
Në kohën kur u regjistruan zërat mes Babales që kërkonte drogë për të dalë nga gjendja e tij e vështirë ekonomike, dhe sipas tij, Agron Xhafës, kanë qenë dhe persona të tjerë, por që identiteti i tyre nuk bëhet publik.
Gazetari Jetmir Olldashi i cili ka pranuar se ishte një investigim prej tij, nuk ka qenë prezent në procesin e audio përgjimit dhe as e ka parë dhe njeh Agron Xhafën.
Olldashi ka folur për median se koha kur u realizua audio-përgjimi ishte Tetori i vitit të kaluar, kurse PD e bëri publike më datë 14 Maj.
Dy ditë më pas, vëllai i ministrit Xhafa përmes një letre publike mohoi të ishte zëri i tij. Ai dha një deklarim në Prokurori dhe më pas iu vetëdorëzua policisë italiane në aeroportin e Rinasit.
Një ditë më pas PD transmetoi intervistën që gazetari Olldashi kishte realizuar me Babalen, i cili tregoi se kishte vepruar për hakmarrje dhe se zëri tjetër ishte i ish-shokut të tij Agron Xhafa. Në Vlorë familjarët e Babales apo të Albert Veliut janë larguar nga banesa, por në “Miami bar” klientela vazhdon. /albeu.com/