Kuvendi i Shqipërisë, në kuadër të Ditës Kombëtare të Jetimëve, me kujdesin e veçantë të Kryetarit të Kuvendit, z. Gramoz Ruçi dhe në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, priti sot në sallën e seancave plenare 200 fëmijë jetimë nga Shqipëria dhe Kosova.
Të pranishëm në aktivitet ishin zëvendëskryetarja e Kuvendit, znj. Vasilika Hysi, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, që janë edhe anëtarë të grupit “Miq të Fëmijëve”, si edhe shumë figura të shquara të jetës publike nga arti, shkenca, komunitetet fetare, televizioni dhe muzika.
Kryegjyshi botëror i bektashinjëve, Haxhi Baba Edmond Brahimaj, aktorët Luftar Paja, Mirush Kabashi, Marjana Kondi, Raimonda Bulku, Rudina Dembacaj, tenori Kastriot Tusha, artistët Bujar Kapexhiu dhe Mimika Luca, kompozitori Agim Krajka, këngëtarët Justina Aliaj, Luan Zhegu, Irma Libohova, Manjola Nallbani, Kozma Dushi, moderatorja Silvana Braçe, miss-i i parë shqiptar Valbona Selimllari, si edhe figura të tjera të njohura të ekranit si Eni Çobani dhe motrat Marina dhe Luana Vjollca ishin të pranishëm në aktivitetin e sotëm për t’u qëndruar pranë fëmijëve në aktivitetin e tyre.
Fëmijët jetimë simuluan një seancë plenare, ku përmes fjalimeve të mbajtura, paraqitën me plot mjeshtëri fjale kërkesat e tyre për më shumë solidaritet, si një shtresë e veçantë që meriton ndihmën, vëmendjen dhe kujdesin e posaçëm nga shoqëria dhe strukturat shtetërore përgjegjëse. Fëmijë nga qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe Kosovës, sollën në foltore të Kuvendit emocione të ndjera nga jetimë të luftës së Kosovës, të prindërve të rënë në krye të detyrës, në aksidente pranë vendit të punës etj.
Fëmijët jetimë, përmes fjalëve në foltoren e Kuvendit përcollën mesazhe të forta për një shoqëri më solidare ndaj jetimëve. Zëvendëskryetarja e Kuvendit, znj. Vasilika Hysi, në përmbyllje të aktivitetit mbajti një fjalë përshëndetëse. Seancën me fëmijët jetimë zëvendëskryetarja e cilësoi si ndër më emocionueset për t’u drejtuar. “Përgjatë të enjteve ne kemi bërë seanca, ku kemi miratuar ligje të mira, siç ishte ligji “Për Strehimin Social”, që e përgatiti me shume shpirt kolegia ime, znj.Eglantina Gjermeni. Kur ishte ministre e Ministrisë së Zhvillimit Urban, në qeverisjen e mëparshme, ajo loboi shumë që fëmijët jetimë, nënat me fëmijët jetimë, personat e vetëm dhe shumë kategori të tjera si romë, egjiptian, etj., të jenë parësor në strehimin social.
Por krahas ligjeve të mira, siç është edhe ligji për të drejtat e fëmijëve dhe mbrojtjen e tyre, kemi bërë debate shterpë, ku ju kemi lënduar juve, ju kemi dëmtuar dhe nuk kemi mundur të ofrojmë atë që duhet. Kjo seancë, kjo sallë, kjo foltore, është dëshmitare shpesh e debateve patetike. Ndërsa ju të gjithë keni diskutuar me një etikë të veçante dhe i kemi qëndruar thelbit të seancës”, -iu drejtua znj.Hysi fëmijëve.
Znj. Hysi, pasi u zotua në fjalën e saj për më shumë përpjekje nga politika në drejtim të ndihmës ndaj fëmijëve jetimë, e rrethuar nga emocioni që u përcoll gjatë simulimit të seancës plenare të fëmijëve, ndau me të pranishmit një ndjesi dhe përjetim personal: “Unë i ndjek problemet, shqetësimet e fëmijëve jetimë, jo vetëm sepse drejtoj një komision për të drejtat e njeriut, por dy prindërit e mi janë rritur jetimë dhe ndërkohë dy xhaxhallarët e mi janë rritur në shtëpinë e foshnjes”, – u shpreh zëvendëskryetarja e Kuvendit.
Znj. Hysi i ftoi fëmijët jetimë të jenë prezentë në një seancë plenare me praninë e të gjithë deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, për të qenë të dëgjuar në të gjitha problematikat e tyre. “Në emër të Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, z. Gramoz Ruçi, jeni të ftuar të kuvendojmë se cilat do të ishin dy-tre iniciativat e para, që ne duhet t’i ndërmarrim dhe finalizojmë me sukses në këtë periudhë dhe do të ishte mirë që me rastin e festës së 1 qershorit një nga këto iniciativa të finalizohej”,- tha në fjalën e saj zëvendëskryetarja Hysi. Në mbyllje të aktivitetit z.Ilir Cumani shprehu falenderimet e tij, në emër të fëmijëve dhe institutit që drejton, për kujdesin e Kuvendit të Shqipërisë në mbarëvajtjen e këtij aktiviteti.