Në qiellin e kaltër një korb i zi,
të gjorët pëllumba i zu në befasi,
e zezë nata pis, i zi edhe korbi,
lumë gjaku dhe lotësh në të bukurën Dardani.
Në zbrazëtinë e errësirës
të ëmbëlat cicërima vajtueshëm thyen heshtjen,
prishën qetësinë.
E zezë nata pis, i zi edhe korbi;
rënkojnë zemrat nga dhimbja, çirren kraharorët.
Rëndë u përgjak Toka Arbërore,
para syve të Botës
e Bota katile veç bënte sehir;
dridhej dhimbshëm vatra atërore,
shtati ëngjëllor përshkuar nga sqepi i korbit gjakatar.
Dhe drita e hënës tepër u venit
dhe dita e re zbardhi e akullt, e ftohtë,
para syve të Botës e Bota krejt katile,
“Pëllumbat e Paqes” rrëzuar për Tokë!
Poezi kushtuar fëmijëv të vrarë në Kosovë gjatë pushtimit serb.
Marinela Velaj
2007