Loading...

Kush janë dy të arrestuarit për grabitjen e Prokurorisë së Durrësit?

Arrestohen dy persona të dyshuar për bastisjen dhe vjedhjen dje në zyrat e Prokurorise së Durrësit. Policia i ka identifikuar që dje dy te dyshuarit dhe me pas i ka shoqëruar në polici gjatë mbrëmjes dhe i ka vënë prangat. Nuk ka ende të dhëna lidhur me identitetin e tyre. Ndërkohë pritet që policia e Durrësit të dalë në deklaratë për mediat për të dhënë informacione të mëtejshme.

Ngjarja:

Prokuroria e Durrësit, për herë të dytë brenda muajit, është bërë objekt grabitjeje nga persona ende të paidentifikuar. Vjedhja e paprecedentë, e mirëorganizuar dhe e dyshuar si e kryer nga një grup i strukturuar kriminal, ka ndodhur gjatë natës së të mërkurës, duke gdhirë dita e djeshme.

Ndërsa është konstatuar nga pastruesja e Prokurorisë, rreth orës 06:30 të mëngjesit të djeshëm, kohë kur edhe është njoftuar Policia për ngjarjen. Burime zyrtare të Prokurorisë dhe Policisë, thanë se janë vjedhur me thyerje, zyra e një prokurori, konkretisht, prokurorit Afrim Shehu, në katin e katërt të godinës, si dhe zyra e dy oficerëve të Policisë Gjyqësore, ngjitur me të.

Në largim, autorët janë ngjitur edhe në katin e pestë, ku kanë dëmtuar serverin e kamerave të sigurisë, duke marrë edhe disa pajisje CD ku janë regjistruar pamjet. Burimet thanë se për të depërtuar në ambientet e brendshme të Prokurorisë, grabitësit kanë përdorur një kabinë elektrike në pjesën e pasme të godinës. Kanë hipur në tarracën e saj dhe nga aty janë futur brenda përmes dritareve të tualetit, në katin e dytë, që ishin të hapura.

Ndërsa më pas, duke përdorur sende të forta, dyshohet leva, kanë hapur me forcë dy zyrat ku kanë vjedhur materiale të dosjeve hetimore. Burimet thanë se përveç dy zyrave dhe dhomës së serverit, nuk është dëmtuar asnjë zyrë tjetër. Kjo tregon se grabitësit e kanë pasur të qartë objektivin e tyre dhe kanë qenë të informuar, edhe për katin ku ndodheshin zyrat që do të vidhnin. Për këtë arsye, po hetohet edhe për ndonjë mundësi bashkëpunimi, pasi mund të ketë pasur informacion të brendshëm.

Në funksion të hetimit u sekuestruan kamerat e sigurisë dhe ekspertët këqyrën të gjithë institucionin, për të administruar provat që mund të shërbejnë për zbardhjen e ngjarjes. Burimet thonë se autorët e grabitjes nuk kanë lënë asnjë gjurmë. Policia e Durrësit shoqëroi dy punonjësit e policisë private, të cilët ishin në turnin që ka ndodhur vjedhja. Dy efektivët e policisë private u shoqëruan vetëm pak minuta pas konstatimit të ngjarjes. Ende nuk është përcaktuar nga Prokuroria, nëse ata do të arrestohen apo jo.

Nga ana tjetër, është shoqëruar për të dhënë shpjegime për ngjarjen edhe sanitarja që ka qenë e para që ka konstatuar vjedhjen në orën 06:30 të mëngjesit, kur është paraqitur në punë. Të shoqëruarit kanë deklaruar në Polici se nuk kanë konstatuar dhe pikasur asnjë person. “Nuk kemi parë gjë. Ishim në vendrojën që ndodhet te dera e Prokurorisë. Gjithë natën ishim vigjilentë. Nuk kemi parë asnjë person të vinte aty pranë. Mbase kanë hyrë nga mbrapa, pasi këtej (përpara) nuk bëhet fjalë të jenë futur, pasi kemi qëndruar gjithë natën zgjuar”, janë shprehur dy efektivat e policisë private, që kishin detyrë të ruanin Prokurorinë.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com