Zonjat në kabinetin qeveritar rezultojnë me më pak të ardhura krahasuar me ministrat. Kryeministri Edi Rama kur mori qeverinë vendosi që të bënte një ndarje të barabartë duke emëruar 7 femra dhe 7 meshkuj.
Në deklaratat e pasurisë të dorëzuara për vitin 2017 pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, zonjat rezultojnë me pasuri disi më të ulët se kolegët e tyre.
Ministrja e Brendshme, Olta Xhaçka është ajo që ka deklaruar pagën e saj, pagën e bashkëshortit dhe të ardhura nga qeratë.
“Paga si ministre e MMSR, 259.300 lekë; Paga si Ministre e Mbrojtjes, 437.994 lekë; Të ardhura si deputetë, 575.436 lekë Honorare nga komisionet, 20.910 lekë; Kredi 1824.07 euro; Bashkëshorti të ardhura nga qeraja e dyqanit, 1.601.320 lekë; Bashkëshorti vijon pagesën e kredisë me vlerë 2301.56 euro për blerje automjeti”, është pasuria e deklaruar nga Xhaçka. Krahasuar me vitin 2016 ajo ka një rritje. Xhaçka ka deklaruar në 2016: Të ardhura nga paga dhe dieta si deputete, 2 528 836 lekë;
Në proces marrje kredie për shlyerjen e detyrimeve sipas kontratës së blerjes së një apartament banimi 2+1 në Tiranë, për të cilën ka parapaguar 19 000 euro në vitin 2012.
Pasuria e Nikollës
Një tjetër ministre që nuk renditet mes më të pasurve është ajo e Arsimit, Lindita Nikolla. Gjatë vitit 2017 ajo ka deklaruar: Të ardhura nga paga, 1.015.567 lekë; Të ardhura nga dietat, 22.500 lekë; Të ardhura kalimtare pas largimit nga funksioni, 524.280 lekë; Bashkëshorti nga paga si dekan, 109.000 lekë; Bashkëshorti honorare anëtar Senati UPT, 215.825 lekë dhe paga e vajzës në BSH, 85.314 lekë. Nëse bëjmë një krahasim me vitin 2016 situata është në të njëjtat nivele, pasi dhe një vit më parë të ardhurat e vetme të Nikollës ishin paga e saj, e bashkëshortit dhe e vajzës.
Pasuria e Sonila Qatos
Krahasuar me Nikollën dhe Xhaçkën, Sonila Qato është një ministre me shumë të ardhura. Ministrja për Mbrojtjen e Sipërmarrjes rezulton me 6 llogari bankare. Po ashtu ka të ardhura nga qeraja e një apartamenti në Tiranë. Ajo që bie në sy është se gjatë vitit 2017 bashkëshorti i saj është marrë me tregti automjetesh. Ai ka blerë makina në Gjermani dhe më pas i ka shitur në Shqipëri.
Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj ka një numër të madh të ardhurash. Përveç pagës si ministre, ajo ka deklaruar dhe të ardhura të tjera nga pozicioni i zv/ministres së Drejtësisë që mbante më parë. Po ashtu dhe shumë të ardhura si komisionere pranë Avokatit të Popullit. Ndërsa bashkëshorti i saj ka pasur të ardhura nga shitja e aksioneve në një biznes që ai ka pasur.
“Bashkëshorti të ardhura nga shitja e kuotave të shoqërisë “23 Option” shpk, 10,000 Euro. Bashkëshorti të ardhura si i punësua në “23 Option” shpk, 387.907 lekë”, thuhet në deklaratë.
Një tjetër ministre me të ardhura të larta është ajo e Kulturës, Mirela Kumbaro. Ajo që bie në sy është se krahasuar me një vit më parë, Kumbaro ka hapur llogari bankare në Francë. “Llogari në La Banque Postale Paris, shtuar me 1.857 euro; Interesa depozite në La Banque Postale Paris, +113 euro; Pakësuar depozita në La Banque Postale Paris, 9.261 euro”, thuhet në deklaratën e ministres së Kulturës. Ajo që bie në sy është se të ardhurat më të larta i ka bashkëshorti i saj, gazetari i njohur Aleksandër Furrxhi, i cili në vitin 2017 ka përfituar rreth 35 milionë lekë të vjetra nga puna si gazetar.
Parashikimet në ligj
Në ligjin për deklarimin e pasurisë janë përcaktuar dhe kategoritë e të ardhurave dhe shpenzimeve që duhen deklaruar. Sipas ligjit, çdo zyrtar deri më 31 mars duhet të deklarojë për vitin që la pas: pasuritë e paluajtshme dhe të drejtat reale mbi to; pasuritë e luajtshme, të regjistrueshme në regjistrat publikë, dhe të drejtat reale; sendet me vlerë të veçantë mbi 300 000 lekë; vlerën e aksioneve, të letrave me vlerë dhe pjesët e kapitalit në zotërim; vlerën e likuiditeteve, gjendje në cash jashtë sistemit bankar, në llogari rrjedhëse, në depozitë, në bono thesari dhe në huadhënie, në lekë ose në valutë të huaj; detyrimet financiare ndaj personave juridikë dhe fizikë, të shprehura në lekë ose në valutë të huaj; të ardhurat personale për vitin, nga paga ose pjesëmarrja në borde, komisione ose çdo veprimtari tjetër që sjell të ardhura personale; licencat dhe patentat që sjellin të ardhura. dhuratat dhe trajtimet preferenciale, përfshirë identitetin e personit fizik ose juridik, prej nga vijnë apo krijohen dhuratat a trajtimet preferenciale; angazhime në veprimtari private me qëllim fitimi dhe çdo shpenzim i deklarueshëm, me vlerë mbi 300 000 lekë, i kryer gjatë vitit të deklarimit/ Sot