Admirim Kala, i arrestuar si sekser që bënte ndërmjetësin mes studentëve dhe pedagogëve në Univesitetin e Elbasanit, rezulton ish-kandidat për deputet i LSI-së. Kreu i Grupit Parlamentar socialist, Taulant Balla duke përshëndetur arrestimin e pedagogëve dhe “sekserëve”, thumboi PD dhe LSI, aspi të arrestuarit njihen si persona afër këtyre dy partive pasi në rrjet qarkullojnë foto të ndryshme.
“Përshëndes aksionin e prokurorisë dhe policisë i cili synon t’i japë fund paligjshmërisë qofteë kjo edhe paligjshmëri e ndonjë pedagogu në bashkëpunim me sekserët dhe në dëm të studentëve. Të ndajmë emrin e rëndësishëm të universitetit të Elbasanit nga ndonjë dru i shtrembër që mund të jetë pjesë e tij. Universiteti i Elbasanit është një nga vatrat më të rëndësishme të arsimit në vend. Në akreditimet ndërkombëtare universiteti “Aleksandër Xhuvani” është renditur në krye te listës, duke mbajtur me nder emrin e qytetit që cilësohet me të drejtë vatër e arsimit. Ky hetim nuk e penalizon, përkundrazi e nderon univesitetin e Elbasanit i cili nuk bëhet palë me asnjë dru të shtrembër.”
Deklaratat Z. Balla i beri nga Elbasani gjatë një takimi me qindra maturantë të këtij qyteti ku së bashku me zyrtarë të tjerë ndoqën performancat e të rinjve në kuadër të aktivitetit “FRESH talent”. Balla i ftoi gjimnazistët të zgjedhin të vazhdojnë studimet e tyre në universitetin e Elbasanit, si një nga universitetet më të mira në vend.
Balla thumboi edhe PD dhe LSI, për shkak se personat e arrestuar njihen si persona me lidhje me Partinë Demokratike dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim. Madje një prej të arrestuarve është kandidat për deputet i LSI Qarkun e Elbasanit.