Pas dorëzimit të mandatit të deputetit, Prokuroria e Krimeve të Rënda pritet që ta thërrasë për dëshmi javën që vjen ish-ministrin Saimir Tahiri. Por pyetjes nëse do të arrestohet apo jo, Krimet e Rënda përgjigjr se kjo do të bëhet nëse do të ketë prova të reja.
Ai do të pyetet për lëvizjet e tij në Itali dhe Greqi, gjatë viteve 2014-2015. Në të dyja udhëtimet, ai ka përdorur automjetin tip “Audi”, të cilin ua kishte shitur Habilajve, përpara se të emërohej ministër dhe për të cilët thoshte se nuk kishte kontakte, edhe pse kushërinj të largët të tij.
Por provat kanë treguar një histori tjetër. Ish-ministri, gjatë kohës që ka qenë në detyrë, ka përdorur “Audin” e famshëm me targa të pandryshuara, në udhëtimet në Greqi dhe Itali.
Burimet brenda Prokurorisë së Krimeve të Rënda thonë se organi i akuzës do të kërkojë arrestimin e Tahirit, vetëm nëse ka prova të reja që e rëndojnë më shumë pozitën e ish-ministrit, shkruan “Panorama”.
Deri më tani, Tahiri ka rimarrë mbrapsht pasaportën e tij të bllokuar me kërkesë të Prokurorisë, pasi Apeli ka argumentuar se ai nuk rrezikonte të largohej, për shkak edhe të funksionit të deputetit.
Por tashmë që nuk është më deputet, Prokuroria mund të kërkojë bllokimin e pasaportës si masë paraprake.
AKUZAT
Ish-ministri Tahiri është nën hetim për trafik droge dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
Prokuroria dyshon se ai ka favorizuar trafikun e drogës nga grupi i Habilajve, që kishte lidhje edhe me grupe të tjera në zonën e Vlorës dhe Fierit.
Emri i tij doli për herë të parë në dosjen e Prokurorisë së Katanias për Habilajt, ku Tahiri përmendet nga kushërinjtë e tij të largët si person me imunitet. Më pas, në fund të vitit të shkuar, u arrestua në Shqipëri Nezar Seiti, i konsideruar si “financieri” i Habilajve.
Edhe pse u mbajt katër muaj e gjysmë në Shqipëri dhe shihej si një dëshmitar kyç për çështjen e Tahirit, Seiti u ekstradua mes shumë polemikash në Italinë fqinje, ku ai kishte shprehur edhe pëlqimin e tij. Megjithatë, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dërguar letërporosi në Itali që Seiti të pyetet për llogari të drejtësisë shqiptare. Bashkë me Tahirin, nën hetim është edhe Orest Sota.
Biznesmeni, i cili u lirua pak muaj më parë, dyshohet se pastronte paratë e Tahirit. Në mjetin e tij u gjet një sasi e konsiderueshme eurosh dhe pasaporta detare të ish-ministrit.
Pavarësisht kësaj, Sota pretendon se paratë ishin të tijat dhe pasaportat e Tahirit i kishte harruar në makinë shoferi i ish-ministrit, me të cilin ai ka shumë miqësi. Për çështjen “Tahiri” janë pyetur në Prokurori edhe dy shoferët e tij dhe truproja së fundmi.
PANORAMA