Franca është e njohur në mbarë botën për larminë e ëmbëlsirave, për rafinimin që dallon kuzhinën e saj dhe mund të them me siguri që edhe mëngjesi francez nuk mbetet pas. Francezët janë mjeshtrit e brumit sfoliat me të cilin përgatisin kroasantë dhe pain au chocolat, që nuk mungojnë kurrë në mëngjesin e tyre. Për një mëngjes të “vërtetë” francez, idealja është të shkojmë në Paris, të rehatohemi në një bistro, në pritje që kamerieri xhentil të na sjellë porosinë.
Por, në mungesë të kësaj mundësie, përse të mos ndihemi edhe ne pak “francezë”, duke përgatitur me duart tona diçka tipike të mëngjesit të tyre dhe të shërbyer bukur në një tavolinë në kopsht?
Kam udhëtuar shpesh në Francë dhe mund të them se ashtu si Francën, adhuroj edhe mëngjesin e saj. Aroma e kroasantëve të ngrohtë, bageta të lyera me gjalpë dhe reçelra të përgatitur në shtëpi, krepat e ngrohtë të sapo bërë, kekët e tyre me limon; të shoqëruara të gjitha me kafe ose çaj, të bëjnë ta nisësh bukur ditën. Ja receta per krepa te vertete franceze
Për brumin:
200g miell , 2 vezë , 40g sheqer ,500ml qumësht , 1 majë thike kripë , Gjithashtu na duhet: pak gjalpë për skuqjen e tyre , reçelra të ndryshëm për t’i servirur
Përgatitja:
1. Përziejmë të gjithë përbërësit për brumin në një tas dhe si rezultat kemi një brumë të hollë. E lëmë të pushojë për një orë.
2. Marrim një tigan të sheshtë, e vëmë në flakë të mesme. Lyejmë tiganin me pak gjalpë dhe fshijmë me letër kuzhine gjalpin e tepërt. Marrim brumë me garuzhde dhe e hedhim në tigan. E shpërndajmë brumin në të gjithë tiganin duke e rrotulluar këtë të fundit dhe i pjekim krepat për pak minuta nga të dyja anët.
3. I shërbejmë krepat të nxehtë, të shoqëruar sipas dëshirës me reçel, mjaltë, etj.