Një gjë është e qartë, kopukët politikë, si askush tjetër, pasi u ranë të gjithë trumbetave për largimin e ministrit Xhafa dhe hedhjen poshtë të Reformës në Drejtësi, duke dashur të heqin vetullat e opozitës, nxorën një palë sy që ende nuk kanë parë deri në fund.
Shkruan Bedri Islami
Kopukët
Nga të gjithë kopukët, më të rrezikshmit dhe më të pështirët, janë kopukët politikë. Për fat të keq ata janë shtuar tej së zakonshmes dhe po bëhen një fenomen i përditshëm. Duke rendur me galop drejt së keqes së vendit të tyre.
Këto ditë, vemendja e të gjithëve është përqëndruar tek çështja Xhafa, vëllai dhe ministri. Kishte nisur prej kohësh dhe, në fund, si për të vënë kujën se çka po ndodhte, PD-ja bëri publike një video audio, realizuar në mjedise publike.
Deri tani askush nuk e di se kush e ka krijuar këtë video, megithëse adresa e saj dihet. Me cilin mjet, kush e ligjëroi, është e saktë a jo çka tha Berisha se ishte një punë e gjatë përgatitore apo një i panjohur, X apo Y, ia kishte dhuruar shqupasve, për ta bërë publike? Janë shumë pyetje, ende të pasqaruara deri në fund, por që nuk do të vonojnë të kenë përgjigjen e tyre.
Dje, PD-ja, duke dashur të bëjë shfaqjen politike të kopukëve të radhës, nxori bashkëpunëtorin X, si është quajtur në fillim, ose dëshmitarin X, si e quan tani. Një njeri nga bota e krimit, për të cilin do të flasim në pjesën e poshtme të këtij shënimi.
Si të gjitha gjërat e nxjerra nga hiçi edhe ajo, videopërgjimi, po shkon drejt hiçit. Çjerrjet e Bashës se po e terrorizojnë dëshmitarin apo bashkëpunëtorin X, apo ato të Berishës se “nuk e japim identitetin e tij se mund ta vrasin”, kanë dy përfundime: të dy e kanë ditur që në fillim se cili është ky X, e kanë ditur se kush e ka futur në lojë dhe përse është futur, e dinë më mirë se gjithë të tjerët me të cilët ai ka pasur takime dhe ndoshta edhe sa është shpërblyer.
Një gjë është e qartë, kopukët politikë, si askush tjetër, pasi u ranë të gjithë trumbetave për largimin e ministrit Xhafa dhe hedhjen poshtë të Reformës në Drejtësi, duke dashur të heqin vetullat e opozitës, nxorën një palë sy që ende nuk kanë parë deri në fund.
Koha për të qartësuar gjithçka nuk është e largët, mediokriteti i kopukëve të politikës që, për hir të pleshtit të shefit, të ri e të vjetër, janë gati të djegin gjithë Shqipërinë, ka sjellë edhe më afër të vërtetën se e gjithë sajesa, që do të bjerë shumë shpejt, duke zënë dikë brenda saj, ka autorë të njohur, shumë shpejt do të jetë një dëshmi e sigurtë se gjithçka është krijuar brenda sallave të shqupit, me ndihmën idiote të ndonjë segmenti në prokurori, që mendon se, duke ngritur këtë furtunë në gotë, do të ndalojë vetingu, do të përmbysen gjërat dhe ata do të jenë ende në fronët e tyre.
Në fakt, ne nuk kemi një opozitë të mirëfilltë, me ide, vizion, kauzë dhe synim. Ne kemi liderë që janë kopukë politikë dhe që drejtojnë një tufë kopukësh të tjerë, një tufë ku, të mençurit dhe të ndershmit, jo vetëm që janë minorancë dhe të papërfillshëm, por do të detyrohen që dalngadalë, nga pafuqia, të kthehen në kopukë në minaturë.
Shefi i tyre Basha, pasi ka ngritur këtë furtunë në gotë, vrapon të shpërndajë kumtin e së keqes, të dëshmojë se Shqipëria dhe qeveria e saj është vendi i krimit, i gjakut, i mashtrimit, i korrupsionit, i drogës, i trafiqeve, ku ministrat dhe shefi i qeverisë janë në krye të botës së krimit dhe, pas saj, duke qeshur në një mënyrë tipike të vendeve të ulta, u thotë, por, na hapni rrugën për negociata, sepse, kur të hapen ato do të bëhen gjërat më së miri.
Është njëlloj si t’i thuash një vajze që kërkon të martohet se, dhëndrri që po të afrojmë i ka gjithë të këqijat, është vrasës, është mashtrues, trafikant e drogaxhi, rend pas kumarit dhe hajdut, por, nëse martohet me ty, ku ta dish, mund të bëhet i mirë. Sikur Evropës nuk i dalin mjaft trafikantët dhe mashtruesit e saj dhe duhet të hapë dyert, pas paradës bashiane, edhe për një qeveri të krimit.
Krijimi i kësaj klase politike, thellësisht kopuke, nuk është lajm i ri, por, nga një precedent në fillimin e shfaqjes, tani është bërë mënyrë mbijetese në një parti ku vlerat janë të parëndësishme dhe në të cilën, nëse je harbut, mashtrues, vrasës e shitës vlerash, mund të kesh një vend në hierarkinë pranë kryetarit.
Të paktë janë ato deputetë shquas që nuk e dinë se ku është bërë njëra apo tjetra video, çfarë qëndron pas saj dhe cili prej radhëve të tyre pret shpërblimin e radhës, por ka edhe drojën se mund të ndodhë diçka në jetën e tij private, nëse demaskimi do të jetë i qëndrueshëm dhe drejtësia e saktë.
Megjithatë, thuajse në një kor të përbindshëm, bëjnë si i thotë i pari i tyre, mendojnë si ai, flenë si ai, ngrihen në këmbë kur u thotë ai, dalin jashtë sallës kur ia do qejfi atij, futen brenda kur luan syrin shefi, flasin kur shefi i thotë leje, heshtin kur shefi kërkon heshtjen e tyre. Të jesh i mënçur, ta zëmë si Gurakuqi apo Mima, nuk të bën punë; të jesh harbut e kopuk si Noka je në ballë të oxhakut.
Bedelët
Shqup-i sapo shfaqi , me zë e me figurë, një trafikant nga Vlora, i cili mori përsipër bisedën që paska bërë me Agron Xhafën. Megjithëse, si deklaroi natën e parë, me zë e me figurë, Berisha, ata nuk kishin ndër mend ta nxirrnin, sepse do ia vrisnin, kur morën vesh se e kërkonin, i bënë shpejt e shpejt një video, aq budallaqe, dhe e lëshuan në duart e fatit. Fati i tij ishte policia që e ndaloi kur donte të largohej dhe, megjithëse mund të jetë tani nën mbrojtjen e saj, që të mos ketë fatin e Trebickës, ai një ditë do të duhet të saktësojë thëniet e tij.
Një mitingash pëdëist, i cili merr përsipër rolin e bedelit dhe e kthen veten në një kamikaz politik. Njeriu trafikant që, një herë ankohej se Xhafa, i riu;
-nuk i kishte dërguar një paketë cigare e më pas ia kishte marrë djalin në punë;
-një herë se ishte i varfër dhe i thotë faleminderit për një kafe dhe harron se më parë e kishte ftuar për drekë;
-që nuk ka para për të jetuar, por në mitingjet e PD-së shfaqet si biznesmen;
-që kishte blerë vetëm 20 kg marijuanë, me borxhe, por këtë e kishte blerë sa për të futur në lojë Agronin;
-që si vazhdë të lojës nuk kishte ndër mend të nisej për trafik droge, por që harron e, më pas dëshmon se nuk u nis se ishte deti me dallgë;
-njeriu që ka punësuar djalin tek i akuzuari prej tij, por që nuk ka biseduar prej më shumë se 10 viteve kurrë me të;
-që gënjen pa të keq për dënimet e tij dhe për çfarë është dënuar;
-që shfaqet si njeriu i politikës pëdëiste, por në fakt është një hajdut makinash;
-që fillimisht i thotë Agronit se “e njoh Ermalin e po shkoj vetë tek ai”, më pas, “ku ta di unë se kush është Ermali”;
-që në fillim thotë se e bëra gjithë këtë për t’i dhënë një mësim Agronit, por më pas pohon se regjistrimi është nga vetë Agroni…
Nuk po futem në hollësitë tjera të këtij bedeli trafikant.
Unë kam respekt për lebërit, në të vërtetë i dua ata, mes të tjerave edhe se janë burra të fjalës, flasin qartë, rrjedhshëm e bukur dhe këngët e tyre, kur jam mes tyre, më rrëmbejnë.
Por, këtë lab, që nuk di as të flasë, që nuk di të mbrojë as veten, që flet një ditë si biznesmen dhe një ditë thotë se nuk ka bukë të hajë, që kthen kokën për të ditur se çfarë i thonë shqupasit afër tij, që mburret se ka qenë trafikant heroine dhe në fakt, veç kësaj është dënuar edhe si hajdut , ku e kanë gjetur këta shqupasit.
Kaq keq është katandisur opozita, sa që gjithë shansin e saj ta vendosë në letrat e bixhozit të këtij trafikanti dhe mashtruesi bedel e ordiner, i cili nuk di as të krijojë ngjarje, as të marrë përsipër atë që i kanë mësuar dhe që, në rastin e parë, desh t’ia mbathte nga vendi.
Një opozitë e tillë, e mbështetur në kopukë dhe në bedelë janë fati më i madh i qeverisë së Edi Ramës, por gjëma më e madhe për këtë vend./ Dita