Sot Këshilli i Lartë i Drejtësisë (KLD) do të zhvillojë një mbledhje ku në rendin e ditës është kërkesa e Ministrisë së Drejtësisë për shkarkimin e 4 gjyqtarëve; Petraq Curri, Ergys Selmani, Ahmet Jangulli dhe Ken Dhima.
Kush janë gjyqtarët që kërkohen masë shkarkimi?
Petraq Curri është gjyqtari i Durrësit që sipas ministrisë së drejtësisë shkeli ligjin duke liruar nga qelia Alket Hatinë të konsideruar baroni i drogës. Por këtë akuzë vetë Hatia e ka mohuar duke sqaruar se ai nuk dorëzohet pasi e akuzojnë padrejtësisht për një dënim që ai e ka shlyer më parë.
Një tjetër gjyqtar për të cilin kërkohet shkarkimi është gjyqtari i Fierit, Ergys Selmani, i cili ishte gjyqtari që vonoi zbardhjen e urdhrit të mbrojtjes të shtetases Liljana Ruka që u vra më pas nga bashkëshorti i saj.
Shkarkim kërkohet edhe për gjyqtarin administrativ të Shkodrës, Ahmet Jangulli, dhe administrativ të Vlorës, Ken Dhima. Ndërsa zyrtarisht dorëheqjen në KLD e ka paraqitur gjyqtarja e Durrësit Merita Xhani, kërkesë të cilën e ka paraqitur prej datës 8 shkurt 2018. Ndërsa kërkesë për dorëheqie mësohet se ka paraqitur dhe një tjetër gjyqtare pas këtij rendi dhe rezulton se është gjyqtarja e Tiranës Brunilda Kasmi./Report Tv