Arrestohen nga policia katalanase tetë shqiptarë, pjesë e një grupi kriminal në fushën e vjedhjeve të banesave në Barcelonë.
Mediat vendase, shkruajnë se anëtarët e grupit kriminal që ka kryer më shumë se 30 vjedhje, rekrutonin bashkëpatriotët e tyre. Ata i strehonin dhe në këmbim të parave u kërkonin të vidhnin banesa.
Pre e grupit të tyre, kishte rënë edhe shtëpia e yllit të futbollit të Barcelonës, Luis Suarez.
Grupi u zbulua që në muaj tetor pas hetimeve të kryera, por i gjithë rrjeti u shkatërrua me arrestimet e fundit. Mediat spanjolle kanë zbuluar edhe skemën e vjedhjeve. Grupi i cili ishte mjaft i specializuar, fillimisht merrte të gjitha informacionet për pronarët e shtëpive që do vidhnin.
Pasi “studionin prenë”, autorët përdornin makina të vjedhura, ose shpesh ecnin dhe në këmbë për orë të tëra. Kjo pasi shtëpitë lukzose që ata vidhnin, ishin kryesisht larg qendrave të banuara të qytetit.
Në janar të këtij viti ata vodhën shtëpinë e futbollistit të Barcelonës Luis Suarez, duke hyrë në vilën e tij në Castelldefels, pa e ditur në fakt se ajo ishte shtëpia e futbollistit, duke vjedhur një sasi bizhuterish me vlerë.