Kalaja është monument historik në qytetin e Vlorës. Rrënojat e kalasë së Vlorës ndodhen në qendër të qytetit, në lulishten prapa Monumentit të Pavarësisë.
Sondazhet e bëra në pranverën e vitit 1985 nxorrën në dritë rrënojat e një muri. Këto sondazhe shërbyen si pikënisje për gërmimet arkeologjike të vitit 1986.
Shtresa kulturore përfaqësohet nga dy periudha, antikiteti i vonë dhe mesjeta, e cila përputhet edhe me fazat e ndërtimit të murit rrethues. Sistemi fortifikues është ngritur në shek. IV të erës sonë dhe i riforcuar dhe më vonë (shek. VI – fillim shek. VII), i pajisur edhe me kulla përforcuese katërkëndëshe. Muri solid, nga pikëpamja konstruktive rrethonte një pjesë të qendrës së qytetit të sotëm të Vlorës dhe formonte një vendbanim të fortifikuar të tipit Kastrum. Lënda arkeologjike si qeramika, objekte metalike e monedhat dëshmojnë se periudha më intensive e jetës së Aulonës si qendër qytetare kanë qënë shekujt V – VI e XI – XIII. Këto të dhëna përputhen edhe me burimet historike gjatë mesjetës, sipas të cilave Vlora zihet në gojëdhënë edhe si qendër peshkopale në shek. X. Ndërsa më vonë ajo bëhet fushë betejash në mes të bizantinëve e normanëve. Më 1205 u pushtua nga Venediku dhe në shek. XIII – XIV u bë një qendër e lulëzuar tregtare e zejtare derisa kaloi në duart dhe nën sundimin e familjes feudale shqiptare të Balshajve. Osmanët e pushtuan më 1417. Kjo solli rrënimin dhe shkatërrimin e plotë të fortesës antike.
Nga gërmimet e fundit arkeologjike të vitit 1990 sistemi fortifikues zë një sipërfaqe 600m². U zbulua muri 3.3 m i trashë, me gjatësi 54 m, i ndërtuar me teknikën “opus mixtum” dhe i përket pjesës jugore të sistemit fortifikues të Aulonës. Muret rrethuese krijonin një plan katërkëndësh të çrregullt me sipërfaqe rreth 9.5 ha. Ruhet pjesa e murit të jashtëm ndërsa ajo e brendshme është e dëmtuar. Muri ka drejtim lindje – verilindje. Në skajin tjetër të murit, në perëndim, nga ana e brendshme e tij doli një trakt muri i ngjitur në faqen e tij (faza A). Ky trakt është 3 m i gjatë, 1 m i trashë dhe 1.20 m i lartë. Në anën perëndimore të tij ka 4 – 5 këmbëshkallë prej guri, të cilat të çonin në platformën ose në pusin nr. 1, i cili ndodhet fare pranë.
Në krahun e brendshëm të murit të përmendur, në anë lindore u zbuluan tre mure të ruajtura pjesërisht dhe të vendosura larg njërit nga tjetri 1.75-1.90 m. Ato bien vertikalisht mbi murin rrethues (faza A) dhe ruajnë këto përmasa: duke filluar nga ana perëndimore, i pari është 2.30 m i gjatë, 1.15 m i trashë, 20 m i lartë. Pothuajse të njëjtat përmasa kanë edhe dy muret e tjera. Të tre muret nuk lidhen organikisht me murin rrethues, ndërsa nga pikëpamja e teknikës së ndërtimit janë të njëllojta. Ngritja e tyre është e lidhur me një funksion të caktuar, mbajtja e harqeve, mbi të cilat vendoseshin shkallët që të çonin në platformën e luftëtarëve.
Në faqen e brendshme të murit rrethues dolën në dritë tre mure, të cilat edhe pse ruhen pjesërisht lënë të kuptohet për ekzistencë banesash. Muri nr. 5, me drejtim JL – VP është 4.05 m i gjatë, 0.65 m i gjerë, me një hyrje 1.32 m. Në lindje, muri nr. 6 është 35 m i gjatë, 0.60 m i trashë dhe 0.65 m i lartë.
Të dyja këto mure lidhen me murin rrethues. Hyrja në murin nr.6 është 0.95 m e gjerë, me një prag të përbërë prej dy pllakash.
Muri i tretë u zbulua në krahun tjetër të murit nr. 5, është 1.80 m i gjatë dhe 0.58 m i trashë. Në këto mure, si material ndërtimi përdoren gurë mesatarë e tulla.(fig. 3). Si lidhës shërben llaçi i gëlqeres i përzier me rërë të trashë. Mbeturinat e këtyre mureve krijojne tre mjedise në seri njëri pas tjetrit dhe bashkë me korridorin mund të lidhen me një kompleks banesash.