Kalaja-Fortesa e Harilaqit gjendet mbi një kodër të njohur si Gradina e Harilaqit, e ngritur në një pozitë mjaft dominante, në perëndim të fshatit Harilaq, në lartësinë mbidetare prej 766 metra mbi nivelin e detit.
Ndodhet rreth 9 km në juglindje të Fushë Kosovës si dhe vetëm dy kilometra në perëndim të Aeroportit Ndërkombëtarë të Prishtinës “Adem Jashari”.
Kalaja kap një sipërfaqe prej rreth 1.3 hektarësh dhe nga gërmimet arkeologjike të zhvilluara në vitet e fundit kanë dalë në pah gjurmë të shumta të rrënojave të objekteve sakrale, profane dhe utilitare, si: tërë faqja e jashtme e murit rrethues të kalasë me kullat në akse, pastaj kisha me tri nefe dhe sakristi, si dhe dy struktura pothuajse identike në formë unazore të një kompleksi sakral.
Gjithashtu material i bollshëm i lëvizshëm arkeologjik si vegla pune, stoli, monedha, tulla, fragmente qelqi dhe struktura arkitektonike që posaçërisht theksojnë periudhën e antikitetit të vonë, e në veçanti atë të kohës së Justinianit.
Gjithashtu në këtë kala ka indikacione edhe të periudhave parahistorike, e në veçanti të kohës së metaleve, antikës e mesjetës, si dëshmi e vazhdimësisë së jetës në kala, për të qenë kështu një nga pikat më të veçanta turistike jo vetëm në komunën e Fushë Kosovës por përgjithësisht edhe në gjithë Kosovën.