“Le të rifreskojmë pak kujtesën për shqiptarët…, luftën dëshmorët etj.” Kështu shkruan analisti Ilir Levonja ndërsa shkëput një pasazh të librit “Refleksione” me autor Edi Ramën e të ndjerin Ardian Klosi, në vitin 1992.
”Për ata që mund ta kenë harruar historinë e Shqipërisë, kujtojmë se në Konferencën e Pezës është vendosur që çështja e formës së shtetit shqiptar do të zgjidhet me një referendum pas lufte. Kurse Kongresi i Përmetit me fitimin e Luftës Civile nga komunistët, ia mohoi popullit shqiptar me dhunë këtë të drejtë politike.
Denoncimi pa kompromis i veprimtarisë kriminale të PPSH-së deri në nxjerrjen e saj jashtë ligjit është i vetmi shteg nga duhet të kalojë PSSH-ja për të fituar të drejtën e qytetarisë në shoqërinë e ardhshme shqiptare dhe e vetmja mundësi për opozitën që atdheun e mbetur në duart e rrugaçëve të qosheve të errëta të nomenklaturës apo të kriminelëve ordinerë t’ua kthejë miliona njerëzve të ndershëm që kanë humbur besimin.”
E megjithatë, sot Edi Rama është kryeministër i Shqipërisë…, ashtu si shumë të tjerë flasin për atdheun, të rënët, një shifër butaforike etj. Në fakt ideologjia komuniste nisi si një lëvizje me devizën proletarë të të gjitha vendeve bashkohuni. Kësisoj koncepti mbi atdheun del disi bajat.
Bota e re mbi gërmadhat synonte një internacionalizim popujsh, vendesh, kombesh. Kësisoj për komunistin e vërtetë atdheu i bie të jetë, ose është vetëm një nocion. Kurse ky reali, nuk është asgjë tjetër veçse një varrezë kufomash, një diktaturë proletariati, një luftë klasash pa kompromis.