Loading...

Inxhinieri kosovar që po ndërton urën metropolinate në Dubai

Arkitektë e inxhinierë ndërtimi kosovarë kanë gjetur veten në të gjitha anët e botës. Ata po ideojnë e ndërtojnë projekte të mëdha, duke qenë dora kryesore e tyre.

Kushtrim Hajzeri

Lufta e fundit në vend e dërgoi si refugjatë në Itali, pa e ditur se aty do të ndërtonte të ardhmen në inxhinierinë e ndërtimit. 30 vjeçari, Esad Mehmeti nga Mitrovica ishte vetëm 11 vjeç kur kishte shkuar në Itali, e që atje edhe u shkollua e punoi në inxhinierinë e ndërtimit.

Në vitin 2014 i kishte dhënë fund studimeve me një tezë për Digën e Gazivodës në Kosovë, konkretisht projekt për simulimin e rënies se digës dhe në bazë të rezultateve të modelit matematikor, parashikimi i nivelit te ujit në luginë deri në qytetin e Mitrovicës. E, vetëm dy vjet më vonë ai bëhet pjesë e kompanisë së madhe italiane Rizzani de Eccher, në të cilën vazhdon të ushtrojë profesionin.

Duke punuar për këtë kompani, Mehmeti ka qenë njeriu kryesor i projekteve të mëdha të ndërtimit të urave në shtete të ndryshme, e që momentalisht është duke punuar në Dubai.

Ai, për Ndërtimi.info ka treguar për përvojën e tij në këto projekte, e që njërin prej tyre kishin arritur ta përfundojnë vetëm për katër muaj.

“Në vitin 2016 kam punuar në Riad të Arabisë Saudite, ku kemi ndërtuar ura metropolitane. Në vitin 2017 kem ndërtuar ura në Veri të Algjerisë dhe tani jam në Dubai ku jemi duke realizuar urën (Viaduct) metropolitane që ndërlidhë zonën e Expo2020 me qendrën e qyteti. Në vitin 2017 kemi realizuar një urë afër 1 km për vetëm 4 muaj punë”, ka treguar ai.

Mehmeti, që në projektin e ndërtimit të njërës nga urat më të mëdha në Dubai është koordinator, ka konsideruar se ky është një nga projektet më  interesante që ai ka dhënë kontribut.

“Projekti është shumë interesantë dhe duhet të përfundoje në kohë shumë të shkurtë, pasi në vitin 2020 hapet ekspozita universale në Dubai dhe metroja ndërlidhë zonën e Expo2020 me Red Line të metros ekzistuese”, ka thënë ai.

Duke qenë se puna e tij ka të bëjë me urat, ai konsideron se Kosova ka nevojë për ndërtimin e shumë të tillave, duke marrë parasysh terrenin malor që ka./Ndertimi.info/

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com