Shkruan Bedri Islami
Në mendimin tim ai bëri gjënë e duhur, megjithëse disi me vonesë. por, edhe tani, nuk është vonë për të patur një rrugë më të lirë hetimi dhe gjykimi, nëse ndodh kjo, për gjithçka që është dyshuar në jetën e tij si ministër i brendshëm.
Ka gjashtë muaj që çështja “Tahiri” është më e përfolura, më e ndjekura, më seriozja dhe prova e një ballafaqimi mes së vërtetës në jetën e dretësisë shqiptare dhe të rremes së deritashme.
Nuk e paragjykoj Saimir Tahirin. Nuk e di nëse është i fajshëm apo i pafajshëm. Në gjashtë muaj kundër tij është hedhur një mal me akuza të politikës së ditës, dhe nga ana tjetër është hedhur poshtë po ky mal, sa që secili e ka të vështirë të zbulojë se çfarë gjenet në të vërtetë në fillesën e kësaj rropullie.
Duke qenë ministri i punëve të Brendshme më jetëgjatë në detyrën e tij pas vitit 1990, ka qenë e natyrshme të ketë shumë mendime, pro e kundër tij, por në fund të fundit strukturat e drejtësisë, të monituruara nga ndërkombëtarët do e japin verdiktin e tyre.
Që kjo çështje nuk është jashtë vemendjes ndërkombëtare e bëri edhe më të qartë ambasadori amerikan, Donald Lu, në prononcimin e tij të fundit.
Për gjashtë muaj opozita kishte të njëjtin lejtmotiv: përse Tahiri nuk hoqi dorë nga imuniteti i tij, dhe përtej saj, përse shumica po e mbron me çdo kusht , përmes forcës së kartonit, imunitetin e deputetit Tahiri.
Sipas saj, pas këtij imuniteti fshiheshin raportet mes Ramës dhe Tahirit, mes këtij të fundit dhe shumicës dhe se, nëse ai do të ishte pa imunitet, gjithçka do të përmbysej, shumica qeveritare do të binte, shteti do të thërmohej etj.
Në të gjitha prononcimet, brenda e jashtë vendit, të opozitës dhe të një grupimi analistësh, shumë nga të cilët në të njëjtën linjë me opozitën, është vënë theksi pikërisht tek imuniteti i Tahirit, si garanti i tij për të mos qenë objekt i hetimit, gjykimit e dënimit.
Të gjithë drejtuesit e opozitës, një zëri ose në zëra të ndryshëm, çuditërisht opozitarët burra kishin zë femror, ndërsa opozitaret kishin zë burri, i thonin Tahirit : zbrit nga imuniteti. Shkonin dhe më tej, me të njëjtat zëra i thonin shefit të qeverisë: Zbrite nga pema e imunitetit, mos e mbro, sa kohë Tahiri është në imunitet, do të thotë se jeni një dyshe e pandarë, se jeni njëlloj, se duke mos hequr imunitetzin, mbron krimin etj.
Tani, Tahiri, vetë ai ose me shtytjen e dikujt tjetër, në këtë rast nuk është primare, zbriti nga pema e madhe e imunitetit, ku kanë hipur prej vitesh shumë të tjerë , si Mejdiu, Basha, Bumçi etj dhe nuk po zbresin.
Tani që ai zbriti, filloi pjesa e dytë e thirrjeve: Hip në imunitet. Ke zbritur se kjo është lojë, se po luan lojën e ramës, se pas tërheqjes tënde do të jesh në arrest shtëpie, se është marrëveshje e fshehtë, se ia kërkoi gjermani, se erdhën prova të reja dhe rama i ka premtuar që të ruajë veten.
Gjashtë muaj rrjesht imuniteti ishte patatja e nxehtë e opozitës.
Të jemi të qartë, edhe nëse kjo do i ndodhte opozitës kur ishte në pushtet, për shumicën e sotme në opozitë do të ishte po ashtu patate e nxehtë.
Por, në gjashtë muaj, opozita donte heqjen e imunitetit. ja, u hoq! Po tani?
Përsëri nuk është e një mendje. Për opozitën , sot, është më mirë që Tahiri të kishte imunitet, pra të hipe në pemën e madhe të mbrojtjes së imunitetit dhe prej sa të fërshëllente përmes gjetheve. Sepse, kur je pjesë e krimit, vetëm me gjethet e imunitetit mund të mbrohesh.
Mbrohesh, edhe pse ke qenë i akuzuar zyrtarisht për përvetsime qindra mlionësh, edhe pse je pjesë e një vrasje makabre si në Gërdec, mbrohesh edhe nëse vret në mesin e bulevardit…fshihesh edhe nëse paralajmëron se do e vrisje vetë shefin e opozitës dhe do i mbaje fjalimin më të fortë në botë, fshihesh edhe nëse biri yt dërgoi në pasjetë, përmes shpërthimeve 36 vetë, mes tyre edhe fëmijë.
Tahiri, vonë ose herët, e dha dorëheqjen e tij.
Opozitën , si ishte e pritshme, më shumë e tremb shembulli i tij, se nesër mund të ia kërkojnë edhe pjesëve të saj, ndaj i thotë se, kjo heqje imuniteti është lojë, hip përsëri në pemë dhe prej aty prit kur të të gjuajmë. Por, mos u ul, se, ku i dihet, nesër mund të na ulin edhe ne.
Histori shqiptare!