Ambasadori amerikan Donald Lu nuk ndalet me deklarata të forta për ato që quhen peshqit e mëdhej.
“Pandëshkueshmëria ka marrë fund për bosët e krimit në këtë vend”, ky ishte apeli i ripërsëritur i ambasadorit amerikan Donald Lu pas zhvillimeve të fundit në vendin tonë.
“Ambasada e Shteteve të Bashkuara mirëpret përparimin e bërë nga Shqipëria në luftën e saj kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Vendimi i gjykatës për të vendosur Saimir Tahirin në arrest shtëpie është një shenjë se kjo çështje e rëndësishme korrupsioni do të vendoset në mënyrë të drejtë dhe transparente në gjykata. Arrestimi i Met Kananit në Turqi dhe 14 anëtarëve të bandës së tij kriminale në Shqipëri është shenjë e seriozitetit të policisë dhe prokurorëve për të vënë në shënjestër krimin e organizuar. Së fundi, arrestimi i trafikantit të dyshuar të kokainës Arbër Çekaj në Gjermani dhe kërkesa për ekstradimin e tij në Shqipëri është shenjë se pandëshkueshmëria ka marrë fund për bosët e krimit në këtë vend.
Përgëzojmë punën e vështirë dhe me kurajë të Policisë së Shtetit, Prokurorëve të Krimeve te Rënda dhe Gjyqtarëve të Krimeve të Rënda” , thuhej në deklaratën e shpërndarë në faqen e ambsadës ditën e shtunë.
Zgjatja e mandatit si ambasador dhe këmbëngulja e tij mbeten e vetmja shpresë për tronditjen e kastës së inkriminuar shqiptare.