Loading...

Gramoz Ruçi mbështet artistët e Teatrit Kombëtar, Arben Derhemi: Godina në rrezik, duam rikonstruktim dhe jo shembjen e tij

Gramoz Ruçi kryetari i Kuvendit të Shqipërisë ka mështetur artistët e Teatrit Kombëtar. Dje, një përfaqësi e Sindikatave të Artistëve kanë zhvilluar një takim me kreun e Parlamentit, Gramoz Ruçi, në ambientet e kryesisë së Kuvendit.

Ata përgjatë tri muajsh kanë qenë në krye të rezistencës kundër shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar, Arben Derhemi, Kastriot Çipi, Robert Budina, Taulanda Jupi dhe Ervin Bejleri kanë parashtruar të gjitha shqetësimet e artistëve.

Kanë diskutuar që nga Ligji për Artin deri tek godina në rrezik e Teatrit Kombëtar. Për këtë të fundit ata kanë kërkuar bllokimin e të gjitha veprimeve, deri në momentin e një transparence të plotë, kryerjen e studimeve dhe hapjen e konkurseve.

Aktori Arben Derhemi, kryetar i Sindikatës së Artistëve të TK-së, u shpreh optimist nga ky takim me Ruçin, i cili shprehu mbështetje të plotë për të gjitha propozimet e parashtruara nga artistët.

Ai shprehu keqardhjen që në këto 27 vjet shumë pak është bërë për artin e sidomos për teatrin. Pas këtij takimi, vetë artistët do të angazhohen në hartimin e një projektligji dhe do të forcojnë urat e komunikimit me institucionin e Parlamentit dhe ministren e Kulturës.

Një raport që vetë kreu i Parlamentit premtoi që ta përmirësojë.

LIGJI PËR ARTIN

“Patëm një takim me kreun e Parlamentit, i cili na priti mjaft mirë dhe shprehu mbështetjen e tij pa rezerva dhe në mënyrë të sinqertë. Z. Ruçi pranoi se në këto 27 vjet nuk është bërë asgjë dhe se deri më sot nuk ka pasur politika për artin dhe kulturën”, tregon Derhemi. Sipas tij, përpara Ruçit u shtruan një sërë problematikash, të cilat ai i dëgjoi me vëmendje.

“Një nga shqetësimet tona kryesore ishte Ligji për Artin dhe Kulturën dhe z. Ruçi u shpreh se duhet punuar fort për depolitizimin e artit dhe kulturës. Sipas tij, është paradoksale që drejtorin e TK-së ta vendosë ministri i Kulturës dhe Kryeministri. Sipas tij, duhet të funksionojnë më mirë bordet artistike. Po ashtu na kërkoi projekt-drafte për ligjin në fjalë, në mënyrë që të hartohet një ligj i qëndrueshëm, i cili të funksionojë të paktën për dy dekada. ‘Keni mbështetjen time në mënyrë të sinqertë, pasi ndihem me të vërtet keq që në këto vite nuk kemi bërë asgjë për artin dhe është e trishtueshme të shohësh artistë të varfër’, tha ndër të tjera”.

Po ashtu, artistët ngritën shqetësimin e të ardhurave të TK-së, të cilat me ligj u takojnë teatrit, por derdhen në arkën e shtetit. U diskutua Ligji për Sponsorizimet për mbështetjen e artit dhe kulturës dhe lehtë- sirat që meritojnë bizneset që investojnë në këtë lëmë. Mësohet që regjisori Robert Budina i solli shembullin e Qendrës së Kinematografisë, skema e të cilit ka funksionuar për 20 vjet. Sipas tij, kjo skemë ka qasur në Shqipëri studio të huaja, çka përthyhet në të ardhura, në më shumë vende pune dhe më shumë shërbime. Një skemë që mund të përdoret edhe për teatrin dhe që paratë e investuara për të, të mund të gjenerojnë para të tjera.

GODINA E TEATRIT

Një nga temat më të nxehta të kohëve të fundit ka qenë pa dyshim shembja e godinës së Teatrit Kombëtar. Artistët i kanë kërkuar Ruçit që ajo të mos shembet, por të rikonstruktohet dhe të vazhdojë të jetë funksionale, siç është edhe tani.

“Në lidhje me godinën e TK-së, i bëra me dije kreut të Kuvendit se ajo është funksionale dhe do të jetë e tillë edhe 50 apo 100 vjet të tjerë, nëse rikonstruktohet. Është një rikonstruksion që kushton vetëm 2 milionë dollarë. Meqë shteti nuk ka 30 milionë dollarë për të ndërtuar një teatër të ri, atëherë le të mbajë këtë që ka, le ta rikonstruktojë dhe ne do të ishim shumë të kënaqur, aq më tepër që është hapur një sallë alternative. Kur të kemi një shtet më të fuqishëm, që të ketë dinjitet dhe dashuri për teatrin, pasi, i thashë, që po kuptojmë që nuk ka dashuri për artin. Ka një lloj arrogance të pakuptueshme, por është e sigurt që ajo nuk pjell asgjë tjetër veç arrogancës. Dhe z. Ruçi ra dakord me këtë. Madje në këtë kontekst z. Çipi ngriti edhe shqetësimin e mungesës së komunikimit me ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro, e cila nuk pranon të ulet në një tryezë me artistët, premton për bashkëpunim, por nuk e mban fjalën”.

Siç mësohet, Ruçi nuk është shprehur pro apo kundër shembjes së godinës së TK-së, por artistët i kanë kërkuar që të bllokohet çdo lloj iniciative që ka për synim shembjen e teatrit dhe kjo çështje të rimerret më vonë, kur të jenë bërë studimet përkatëse, të jetë hapur një konkurs dhe të diskutohet me palët e interesit. Në këtë takim, të pranishmit shprehën vullnetin e të gjithë artistëve kundër shembjes së godinës së TK-së.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com