Reali i Madridit fitoi për herë të tretë radhazi dhe të 13-tën herë në historinë e tij trofeun e UEFA Champions League, por aq sa i bujshëm ishte lajmi i triumfit, po aq i bujshëm ishte menjëherë pas ndeshjes lajmi që Kristiano Ronaldo do të largohet nga Reali i Madridit.
Sikurse raportojnë mediat ndërkombëtare që u referohen deklaratave të portugezit, Ronaldo po bën gati valixhet për t’u larguar nga Real Madrid dhe këtë nuk ka ngurruar ta bëjë të ditur pak çaste pasi fitoi Ligën e Kampioneve me skuadrën e drejtuar nga Zinedin Zidan.
“Ishte shumë e bukur që isha pjesë e Real Madrid. Në ditët e ardhshme do t’u përgjigjem të gjithë mbështetësve të cilët kanë qëndruar përkrah meje gjatë kësaj kohe”, tha ai për “BeIN Sports” pak çaste pas vërshëllimës përfundimtare. Më tej ai vijoi: “Tani për tani duhet të gëzojmë se kemi shkruar historinë”, ishin fjalët e portugezit që duken tashmë si të një lamtumire nga madrilenët, ku fitoi 4 Liga Kampionesh në 5 vitet e fundit. Deklaratat e Ronaldos në fakt këtë herë janë mëse të qarta dhe ai pritet në ditët në vijim vetëm të konfirmojnë klubin e ardhshëm./Pamfleti Sport