Loading...

FBI merr në dorë video-përgjimin e PD e “Babales” për vëllain e ministrit Xhafaj, ekspertiza në një laborator në SHBA. Aty u bë dhe “21 janari” dhe “Meta”

Prokuroria shqiptare ka vendosur para disa ditësh dërgimin jashtë vendit të video-përgjimit të pretenduar të PD dhe “Babales” me Agron Xhafajn, vëllain e Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj.

Lajmi u bë publik ditën e djeshme, teksa zyrtarisht organi i akuzës njoftonte se është dërguar për ekspertim materiali i videopërgjimit në laboratorë ndërkombëtarë jashtë vendit. Në shqyrtim do të merret kaseta dhe kamerat e sigurisë së lokaleve ku pretendojnë Basha, deputetët dhe zyrtarët e PD, Salianji, Alibeaj, Bardhi dhe gazetari i PD Olldashi se është realizuar video-përgjimi dhe kanë qëndruar ata që kanë marrë kasetën nga “Babalja”.

Të gjitha këto materiale të video-përgjimit të vëllait të ministrit të Brendshëm dhe kamerat e sigurisë së lokaleve përreth vendit ku pretendohet se është realizuar ky “aksion” janë dërguar në laboratorët modernë në SHBA.

Burimet nga organi i akuzës saktësojnë se është FBI amerikane ajo që ka marrë në dorë ekspertizën për këtë video-përgjim dhe shpresohet që të realizohet shumë shpejt. Mësohet se do të dërgohet pikërisht në laboratorin ku është bërë ekspertiza e armës së ish komandatit të Gardës Ndrea Prendi, që qëlloi dhe vrau njërin nga katër demonstruesit që u vranë nga Garda e Republikës më 21 janar 2011.

Pikërisht ekspertiza e FBI nxori në pah faktin se ishte qëlluar nga kjo armë demonstruesi, ndërkohë që ishte ndërhyrë dhe ndërruar tyta dhe pjesët e armës. Njëherësh në këtë laborator është dërguar dhe përgjimi që ish ministri i LSI Dritan Prifti i bëri ish zv. kryeministrit dhe ish kreut të LSI të asaj kohe, aktualisht President i Republikës Ilir Meta.

Në atë përgjim, shihej me zë dhe figurë Ilir Meta që deklaronte marrjen e një ryshfeti prej 700 mijë eurosh për një koncension, ndërkohë që blloku i punësimeve dhe deklarata rozë për vajzën e Shpresa Beçajt u bënë virale.

Të dyja këto ekspertiza të FBI për video-përgjimet e 21 janarit dhe “Metës” nuk u morën parasysh nga Berisha dhe gjykata e drejtuar prej tij, duke sjellë ekspertët e PD dhe LSI, që bënë ekspertizë për shefat e tyre dhe fati i gjykimit dihet tashmë.

Pikërisht në SHBA dhe në këto laboratorë është dërguar nga FBI dhe video-përgjimi i pretenduar nga PD për një bisedë mes “Babales” dhe Agron Xhafajt, vëllait të ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj për të bërë trafik droge me Italinë.

Shpresojmë që këto ekspertiza të FBI në laboratorët më modernë të SHBA të mos kenë fatin e dy ekspertizave të realizuar kohë më parë për ngjarjet në Shqipëri. Për të shuar të gjithë pretendimet e mundshme të palëve, mësohet se gati është dhe ekspertiza në Gjermani, por gjithnjë nëse ka konteste.

Pritet që së shpejti të zbardhet e vërteta dhe autenciteti i këtij video-përgjimi, të cilin kryeministri Edi Rama e cilëson të sajuar, ndërsa kreu i opozitës Lulzim Basha e cilëson autentik./Pamfleti

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com