Ka rreth 5 vite që Partia Demokratike e ka shndërruar në kalë beteje luftën kundër drogës e sidomos kundër kultivimit të bimëve narkotike si cannabis sativa. Drejtuesit e rinj dhe të vjetër të PD i harruan si me magji mëkatet e tyre të vjetra gjatë kohës që ishin në pushtet, që kulmonin me Lazaratin ose siç njihej rëndom me “Republikën e Hashashit”.
Prej shumë kohësh akuzat e politikanëve të PD-së ndaj qeverisë socialiste për lejimin e kultivimit masiv të cannabaisit si dhe trafikimin e tij dhe drogërave të tjera të forta janë kthyer në rutinën e betejës politike si brenda, ashtu edhe jashtë vendit.
Një strategji kjo që deri diku i kishte shërbyer opozitës për të vënë në vështirësi mazhorancën qeverisëse. Por çuditërisht PD-ja dje me publikimin e deklaratës së regjistruar të Dëshmitarit X, Albert Veliut, i ashtëquajturi Babale, ka rrëzuar brenda pak orëve imazhin e një fushate disavjeçare.
Në deklaratën e regjistruar të Albert Veliut, ku ai ka sqaruar rrethanat e arsyet e bisedës së pretenduar midis tij dhe Agron Xhafajt, vëllait të ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, Veliu ka pranuar publikisht se ka blerë 20 kilogramë hashash për t’i trafikuar.
Pavarësisht pretendimit nga Veliu që e kishte bërë këtë blerje për të provokuar vëllain e ministrit, fakti është se i ashtëquajturi Dëshmitari X ka blerë 20 kilogramë drogë dhe ka deklaruar se nëse nuk do të kishte pasur atë natë kohë të keqe do ta kishte trafikuar në Itali.
Pra ai ka blerë lëndë narkotike nga një person që nuk e tregon dhe e ka poseduar atë për një periudhë të gjatë kohe, sipas deklaratës së tij, dhe nuk dihet se ku e ka çuar atë. Duke pasur parasysh se sipas legjislacionit aktual në vendin tonë quhet shkelje ligji dhe dënohet me burg, posedimi edhe i një sasie prej disa gram cannabis, atëherë drejtuesit e Partisë Demokratike që e kanë pasur në dorë deklaratën e Albert Veliut kanë qenë në dijeni se ky person kishte shkelur ligjin duke trafikuar dhe poseduar drogë.
Po sipas legjislacionit në fuqi çdo qytetar i thjeshtë i Republikës së Shqipërisë e ka detyrim ligjor që kur është në dijeni të një shkelje ligjore të bëjë denoncimin e saj, ndryshe përballet me akuzën për “moskallëzim krimi” dhe kjo një shkelje e rëndë penale që dënohet me burgim. Pra, drejtuesit e PD-së kanë shkelur ligjin duke moskallëzuar një person i cili posedonte jo pak por 20 kilogram drogë. Sasia e cannabisit prej 20 kilogramësh që ka deklaruar se kishte blerë Veliu shkon si vlerë në rreth 20-24 mijë euro, kur blihet me shumicë në vendin tonë dhe kur shitet në Itali në sasi të vogla mund të shkojë deri në 100 mijë euro.
Këtu tashmë nuk kemi të bëjmë më me një sasi të vogël, por me një trafik të pastër me sasi e shuma të mëdha të lëndëve narkotike. Përse drejtuesit e Partisë Demokratike nuk kanë bërë detyrën e tyre ligjore për të kallëzuar këtë shkelje të rëndë të ligjit? Nga padija? Jo! Dy prej personave që dolën publikisht për të bërë denoncimin e përgjimit Enkelejd Alibeaj e Gazmend Bardhi janë të dy ish-ministra Drejtësie dhe jurist në profesion dhe vetëm të paditur nuk mund t’i quash. Duket qartazi se kjo është një zgjedhje politike e PD-së. Një kthim pas i saj. “Lejimi i cannabisit në Lazarat ishte vendim politik”, deklarata e para disa viteve e Sali Berishës demonstron rrënjët e këtij mentaliteti. Për të bërë politikë, për të goditur politikisht kundërshtarin politik lejohet çdo gjë, qoftë kjo edhe shkelja e rëndë e ligjit.
Shkelja ligjore
Sipas legjislacionit në fuqi çdo qytetar i thjeshtë i Republikës së Shqipërisë e ka detyrim ligjor që kur është në dijeni të një shkelje ligjore të bëjë denoncimin e saj, ndryshe përballet me akuzën për “moskallëzim krimi”./Shqiptarja.com