Loading...

“Drejtorët linin nga 4-5 milionë lekë në natë, disa kanë vrarë veten”, si po i shkatërron bixhozi shqiptarët

Mjafton të kalosh në rrugën “Ismail Qemali” që konsiderohet ndryshe edhe ish-Blloku dhe do të hasësh një udhë të mbushur me lloto dhe kazino. Jo vetëm në ish-bllok, por Tirana dhe Shqipëria janë mbushur me bastore, ku shqiptarët hedhin para të pastra në paratë e pista, të cilat pastrohen me të tilla “biznese” kancerogjene për popullatën.

Si pasojë e bixhozit, shumë individë janë shkatërruar dhe kanë marrë në qafë edhe familjet e tyre. Që të mund të mësosh sa i rëndë është fenomeni, mjafton të bisedosh me një person dhe mëson gjithçka se në ç’tmerr e lemeri hyjnë shqiptarët. Pikërisht në ish-Bllok, një meso-burrë tregonte se në Fier, qytetin e tij të lindjes ishte bërë dhe bëhet nami me bastoret, të cilat thithin paratë e familjeve duke i shkatërruar këto të fundit.

“Unë jam nga Fieri. Bashkë me djalin, vite më herët jemi marrë me bixhoz. Llotot janë të këqija, por kazinotë janë edhe më keq. Në ato vite në Fier, mbaj mend se unë dhe djali merreshim me bixhoz. Kemi lënë para pa fund. Linim nga 100 mijë lekë të vjetra, por kishte raste miliona në natë. Jo vetëm ne, por edhe të tjerë persona në qytetin e Fierit. Kishte drejtorë të rëndësishëm në qytet që linin nga 4 – 5 milionë para në natë. Është mikrob, nëse të hyn nuk të del, do luash se s’bën. Kur i humbisnin lekët, kërkonin që t’i paratë e veta dhe zhyteshin edhe më keq. Tmerr kam parë. Disa kanë kryer edhe vetëvrasje, kurse familje të tëra janë shkatërruar. S’të mban gruaja kur merresh me bixhoz”, u shpreh burri.

Ai shton se sa iu takon kazinove, ndërsa jashtë lojtarët kanë më shumë shanse për fitim, në vendin tonë shanset janë shumë të pakta. “Në vendin tonë, nëpër kazino, një shans e ka lojtari, kurse nëntë i ka pronari. Kam qenë në Mal të Zi, në Kroaci dhe atje shanset janë 3 me 10 ose 4 me 10. E kupton se çfarë pabarazie dhe lemerie është këtu”, shpjegoi ai.

Kazinotë vijojnë të jenë prezente në udhët e qyteteve të Shqipërisë, me gjithë premtimin e qeverisë se ata s’do jenë më nëpër rrugë. Ata nuk dërgohen as në ndonjë vend e të grumbullohen diku, siç ndodh jashtë shtetit, por ndodhen të shpërndara, ca këtu dhe ca atje. Raporti më i fundit tregonte se shqiptarët janë duke u shkatërruar si pasojë e problemeve të mprehta sociale të tilla si bixhozi, por edhe droga e fenomene të tjera negative. Llotot dhe kazinotë vazhdojnë të “lulëzojnë” kudo në Shqipëri, duke shkatërruar shqiptarët e thjeshtë e rrënuar ekonomitë tona familjare.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com