Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë, Donald Lu u ka dërguar një mesazh të qartë përfaqësuesve të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, të cilët kanë sulmuar reformën në drejtësi. Prej muajsh eksponentë si Sali Berisha, Monika Kryemadhi, Oerd Bylykbashi, Petrit Vasili apo edhe Ylli Manjani kanë sulmuar fort reformën në drejtësi dhe janë treguar skeptikë sa i takon organeve të reja që do të ngrihen apo edhe ecurisë së procesit të vetingut.
Mirëpo për Donald Lu, të gjithë ata që nuk i kursejnë sulmet ndaj reformës, tregojnë se janë të frikësuar. Gjatë një prononcimi mediatik, ai paralajmëroi se nuk do të ketë më pushtetarë të korruptuar që do t’i shpëtojnë rrjetës së vetingut dhe reformës.
“Nuk është për t’u habitur që politikanët vazhdojnë të kritikojnë dhe të mbjellin dyshime për këto struktura (SPAK, BKH, KLGJ, KLP). Ata ishin dikur të paprekshëm. Tani ata kanë frikë”, deklaroi diplomati amerikan. Duke e ndalur theksin tek ngritja e organeve të reja të drejtësisë, ai fajësoi opozitën për vonesat e hasura në këtë drejtim.
Sipas tij, zvarritja që iu bë votimit të ligjit të vetingut nga ana e opozitarëve dhe më pas gjetja e personave të duhur për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshilli e Lartë të Prokurorisë kanë çuar në këtë situatë. “Vonesat kanë ardhur për dy arsye. E para, ishte kundërshtimi i ligjit të vetingut nga opozita. Ata e humbën këtë sfidë.
E dyta, ishte vonesa në gjetjen e kandidatëve të kualifikuar jashtë sistemit të drejtësisë për anëtarët e KLGJ-së dhe KLP-së”, theksoi ambasadori amerikan. Në vijim të kësaj deklarate, Donald Lu shtoi se tashmë këto dy “ngërçe” janë zgjidhur, ndërsa u shpreh mjaft optimist se ngritja e SPAK do të kryhet shumë shpejt.
“Tashmë, të dyja këto çështje janë zgjidhur. Kandidatët për këto institucione janë duke kaluar në procesin e vetingut. Ata do të jenë funksionalë shumë shpejt”, deklaroi ambasadori i SHBA. Në fund të prononcimit, ai kujdes që të theksonte se reforma në drejtësi ka qenë pika kryesore e misionit diplomatik që në ditën e tij të parë në Shqipëri.
Paralajmërimet e Lu
Kjo nuk është hera e parë që Donald Lu ka lëshuar të tilla paralajmërime për të korruptuarit. Ai tashmë njihet për deklaratën e tij gjatë vitit të kaluar, ku kërkoi arrestimin e “peshqve të mëdhenj”. Diplomati amerikan e ka vënë gjithmonë theksin tek ndëshkimi i personave të inkriminuar, ndërsa ka nënvizuar se politikanët tashmë nuk e kontrollojnë dot drejtësinë.
Madje para pak kohësh, ai u ktheu përgjigje edhe opozitarëve të cilët vazhdimisht deklaronin se reforma në drejtësi ka vdekur. “Reforma në drejtësi po hyn në një çast vendimtar, komisionet e vettingut dhe vëzhguesit ndërkombëtar kanë punuar shumë, së shpejti ata do të përfundojnë çështjet e para të vettingut.
Kjo do të sjellë krijimin e organeve të tjera të reformës në drejtësi, përfshirë SPAK dhe BKH. Shqiptarët presin me padurim për drejtësi dhe politikanët kanë frikë. Disa politikanë kanë thënë së fundmi se reforma në drejtësi ka vdekur.
Ajo nuk ka vdekur por mundësia që politikanët e fuqishëm të kontrollojnë dhe manipulojnë sistemin e drejtësisë është pothuajse e vdekur. Sistemi i vjetër i drejtësisë mbrojti njerëzit me pushtet dhe pasuri përmes korrupsionit dhe ndikimit politik”, u shpreh ambasadori i SHBA, Donald Lu para pak kohësh./ SOT