E gjithë politika, është shprehur për dorëzimin e mandatit të Saimir Tahirit. I vetmi që nuk kishte folur deri tani, ishte kryetari i opozitës Lulzim Basha.
Ndërkohë që pritej që kryedemokrati të fliste i pari, ai foli i fundit.
Kanë kaluar më shumë se 24 orë dhe Basha doli e foli tani. Pse Basha ia dha çelësat e opozitarizmit Kryemadhit?
Dihet se dorëzimi i mandatit të Tahirit, do të përdorej nga opozita si mjet për të sulmuar qeverinë. Por Basha zgjodhi të fliste i fundit, ku tha se dorëzimi i mandatit i Tahirit është lajm i keq.
“Do ishte një lajm i mirë nëse Tahiri 6 muaj më parë do pranonte të dorëzonte mandatin. Tahiri rezistoi, Edi Rama i ktheu deputetët e PS në gjyqtarë për ta mbrojtur. Qëkur Rama e mbrojti nga kërkesa për arrest, Tahiri e shfrytëzoi për të mbrojtur veten, pastroi banesën dhe zhvendosi thasët.
Dorëheqja vjen pasi Rama emëroi Prokuroren pa vetting. Sot të gjithë e kanë të qartë pse Rama nxitoi kaq shumë për të kapur prokurorin e përgjithshëm. Vetëm kështu mund të garantonte se Tahiri edhe pa mandat nuk do vihej para drejtësisë dhe në këtë mënyrë do shpëtonte veten e tij. U ekstradua gjatë kësaj kohe në shkelje të ligjit financieri i bandës së Habilajve”, tha Basha.