Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri inspektoi disa prej investimeve në rrjetin energjetik në zonën e Bashkisë Vlorë. Në fillim ai u ndal në kantierin e hapur në Orikum ku tanimë është drejt përfundimit nënstacioni i ri elektrik që lidh rrjetin 110 kV me rrjetet 35 dhe 20 kV, investim i Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST).
Jemi drejt përfundimit të një prej veprave të rëndësishme energjetike këtu në Qarkun e Vlorës që është nënstacioni elektrik i Orikumit.
Nënstacioni do bëjë të mundur përmirësimin e furnizimit me energji të të gjithë zonës së Orikumit ku efekti do të jetë i menjëhershëm me lidhjen që do të ketë rrjeti 35 kV.
Janë investime të nevojshme për këtë zonë turistike. Ka patur dhe shqetësime nga banorët për furnizimin por e rëndësishme është mesazhi që po jepet se investimet janë të mëdha dhe po vazhdojnë.
Kjo është një nga veprat më të mëdha pas linjës 110 Kv që ne tashmë e kemi përfunduar dhe besoj se në kuadrin e një viti situate do ketë ndryshuar radikalisht në gjithë zonën e Orikumit
Ndërkaq, i shoqëruar nga administratori Adrian Çela dhe drejtori rajonal Erion Osmanaj, ministri Gjiknuri pa nga afër edhe investimet që po kryen Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) në qytetin e Vlorës.
Qyteti i Vlorës jo vetëm që ka përfituar këto 800 milion lekë të reja dhe ka në proces edhe 1.2 miliard lekë të reja investime që janë duke u zbatuar por ne kemi edhe një projekt tjetër agresiv investimi në Bashkinë e Vlorës.
Ky projekt i ri ka të bëjë me sistemimin e rrjetit elektrik nga tuneli i Ujit të Ftohtë deri në zonën e Radhimës që shkon rreth 2.2 miliard lek të reja. Gjithë këto rezultate dhe gjithë këto investime arrihen edhe në saj të performancës së kompanisë dhe bashkëpunimit të qytetarëve./Shqiptarja.com