Loading...

Cili do të jetë fati politik i Fatmir Xhafajt?

Fati politik i Fatmir Xhafës nuk mund të vendoset nga opozita e, në këtë rast, as nga njerëzit e familjes së tij.

Shkruan Bedri Islami

Fatmir Xhafa është ministri i brendshëm i shtetit shqiptar. Figurë e njohur politike dhe njëkohësisht njëri nga politikanët që kanë lidhur dy epoka të ndryshme, ashtu si edhe mjaft kolegë të tij në tri anët e parlamentit.

Në ditët e fundit, më shumë se më parë, ai është nën tehun e opozitës dhe kjo për një ngjarje që nuk lidhet drejtpërsëdrejti me të, por me të vëllain, quhet Agron Xhafa dhe që është i dënuar nga drejtësia italiane për trafikimin e drogës.

Dënimi i tij i vitit 2002 me 7 vite e dy muaj ka marrë formë të prerë në vitin 2012, kohë kur në Shqipëri ishte në pushtet opozita e sotme dhe që vazhdoi të qëndrojë edhe një vit e gjysmë pas dënimit të vëllait të ministrit të sotëm. Kërkesa e Xhafës së vogël për rishikimin e dënimit të tij, si duket është hedhur poshtë nga shkalla sipërore e drejtësisë së vendit fqinj, e po ashtu, deri tani, nuk ka pasur asnjë kërkesë për ekstradimin e tij ose për vuajtjen e tij në burgjet shqiptare.

Një nen i miratuar së voni, në vitin 2017, për të cilin akuzohet se ka ndryshimin e ministrit, atëherë kryetar i Komisionit Parlamentar të Ligjeve dhe drejtues i Reformës në Drejtësi, është alibia e ngritur sot nga opozita, e cila kërkon edhe dorëheqjen e tij.

Në lojën pro dhe kundër tij janë përfshirë shumë figura të njohura, nga opozita e jashtë saj, nga shumica qeverisëse dhe jashtë saj dhe tani ka trokitur në dyert e përfaqësuesve diplomatikë në Shqipëri. Si për ta bërë edhe më të njohur gjithçka po ndodh, opozita e shqup-it politik, i ka drejtuar denoncimin e saj të gjithë shefave të qeverive të Bashkimit Evropian, strukturave të shërbimeve inteligjente, institucioneve të ndryshme evropiane.

Fatmir Xhafa ka qenë i akuzuar gjithnjë nga opozita. Ka pasur një luftë permanente ndaj tij, që nga dita kur u vendos të drejtonte Komisionin e Posaçëm për reformën në Drejtësi e deri më sot. Ai është akuzuar nga opozita si njeriu që ka qenë pinjoll i lëvizjes komuniste, si një njeri shërbyes ndaj diktaturës, duke nxjerrë në skenë, pa asnjë lidhje dhe dëshmi, të dhëna të fabrikuara, të cilat i përdori më pas edhe ish presidenti, kapter i politikës, Nishani. Ndaj tij janë ngritur gjithëfarë akuzash dhe janë përhapur gjithëfarë fjalësh, të cilat, aktualisht, këto ditë, kanë marrë një përmasë të veçantë.

Edhe fakti që ngjarja e të vëllait ka datën 2002, dhe që asaj kohe Fatmir Xhafa, drejtues i një ministrie paraqiti dorëheqjen tek ish kryeministri Nano, apo që disa herë radhazi ka dhënë dëshminë e tij sqaruese, nuk janë interesante për askënd në opozitë, nuk përbëjnë qetësim dhe, me patjetër, kërkohet shkarkimi i tij nga detyra.

Në dy ditët e fundit emri i zotit Xhafa u bë objekt debati, disi miqësor, mes shefit të qeverisë, Rama dhe ambasadorit amerikan, në fakt gardianit të Reformës në Drejtësi, zotit Lu, të cilët në distancë kërkuan të mbanin qëndrimet e tyre, por i pari duke u mbështetur tek i dyti dhe, ky i fundit, duke dhënë një sinjal se çështja Xhafa po shqyrtohet ende.
Dhe dihet se nga kush do të shqyrtohet.

Gjithçka ka qenë e ditur dhe e njohur. Agron Xhafa është dënuar në vitin 2002, vendimi ka marrë formë të prerë në vitin 2012, tani jemi gjashtë vite pas dhe pyetja e parë është pikërisht në këtë kohë, hapësirë mes ngjarjeve: përse tani?

Përse opozita e bën pikërisht tani çështjen Xhafa moto të saj dhe hedh në sulm të gjitha bateritë infantile që ka pas vetes?

Kë pengon zoti Xhafa, cila hallkë është në këputje dhe përse duhet domosdo të zhvendoset ai, qoftë edhe si deputet i zakonshëm?

Zoti Xhafa, deri tani dhe besoj edhe më pas, ka qenë njeriu më i besuar në postin e tij si ministër i Brendshëm, dhe ky besim ka qenë i shumëfishtë. Ndoshta asnjë ministër tjetër në kabinetin Rama 2 nuk ka patur një mbështetje të tillë nga institucione që monitorojnë Shqipërinë dhe këtë, kur ka qenë rasti, e kanë shprehur haptas.

Përse ringrihet pas 16 viteve dënimi i parë dhe pas 6 viteve dënim i përfunduar, një çështje që ka kaluar përmes tri qeverive?

Janë disa arsye:

Së pari, opozita, aktualisht, ka mbetur pa një kauzë të saj. Pas dorëheqjes së Tahirit si deputet duhej gjendur një rast tjetër dhe, në mos ishte aktual, duhej nxjerrë nga thellësia. U thirr rasti Xhafa, i cili ishte, po ashtu, ministër i brendshëm dhe që, po ashtu, akuza e tij kishte në përbërje familjarë, kësaj here edhe më të afërt se Habilajt e Tahirit.

Megjithëse Xhafa kishte bërë prononcimin e tij që kur kishte ndodhur ngjarja, kjo nuk ishte e rëndësishme. Duhej thirrur një kauzë, pas rënies së rastit Tahiri si deputet, përmbylljes së protestës së banorëve të Kukësit për tarifën në rrugën e Kombit, etj.

Së dyte, si nuk ishte pritur nga opozita, rasti i 613 kg drogë e fortë në një kontenier bananesh, që i përkasin një njeriu i cili, po ashtu, ka lidhje të afërta me njerëz të fortë të opozitës, që dikur janë akuzuar haptas nga strukturat e larta të specializuara ndërkombëtare për pjesëmarrje në trafikime masive të drogës, kërkon domosdo spostimin e vemendjes nga një ngjarje që mund të hapë “Kutinë e Pandorës”, për shumë politikanë. Nëse Arbër Kuliçaj, sot i burgosur në shtetin gjerman do të ekstradohet dhe do të fillojë të jetë gojë e hapur, nëpër dhëmbët e tij do të mbetin shumë njerëz. Jo vetëm të politikës.

Së treti, strukturat e drejtësisë po rrëshqasin dalëngadalë nga kllapa ku i kishte vendosur Berisha. Dy njerëzit kryesorë të tij, Llalla dhe Hajdarmataj, njëri i akuzuar tashmë zyrtarisht dhe tjetri që një ditë mund të jetë në të njëjtën pozitë, nuk kanë forcë për të ndryshuar trendin e hetimeve. Hajdarmataj ishte njeriu që i mbylli hetimet për rastin e parë të njohur të Kuliçajt – eksportuesi i baneneve, dhe, kjo siguri, tashmë nuk ekziston. Largimi i Hajdarmatajt nga detyra e rëndësishme dhe siguruese e opozitës për marrëveshje të mëtejshme, në radhë të parë është goditje ndaj mendësisë mafioze dhe në shërbim verbërak ndaj politikës. I marrë në mbrojtje nga opozita, ish prokurori i Tropojës që nuk nxori në dritë asnjë nga vrasjet e bujshme të njerëzve të njohur si kundërshtarë të Berishës, më shumë se gjithçka, i bën dëm vetë këtij të fundit. Është dëshmia se në dorën e kujt ishte vetë ai.

Së katërti, Fatmir Xhafa, në postin e tij të ministrit të Brendshëm, që në fillim, si pak kush, ka bërë lëvizjet e duhura në pastrimin e strukturave të Policisë dhe segmentëve të tjerë. Ai, edhe pse i ka rënë ndesh qeverisë pararendëse, që ishte po ashtu e dalë nga forca politike ku bën pjesë, ka ruajtur mendimin e tij se bandat dhe policia e shtetit, në disa raste, kanë pasur lidhje me njëra tjetrën.

Kështu, më shumë nga sa është pritur, ai i ka hapur probleme vetes; edhe jashtë strukturës politike ku bën pjesë, por edhe brenda saj. Më shumë brenda saj, por, askush të mos habitet nëse nuk e di ende se mes figurave të veçanta të politikës në tri krahët ka ende lidhje të ndjeshme biznesi, marrëdhënieve financiare dhe allishverishe të fuqishme.
Xhafa , duke qenë kundër tyre, krijoi rrethin e parë të kundërshtarëve, të cilët, më pas, krijuan rrethet e tjera.

Së pesti, lëvizja “Xhafa” për shkarkimin e tij, ishte sinjali i fundit, i gjetur nga opozita, për të ndalur hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian.

Dy vendet, ku Basha, ka “ lobuar”, Germania dhe Hollanda, kanë patur dhe kundërshtarët më të hapur, dhe jo rastësisht, ata kanë qenë njerëzit e njohur për lidhje, edhe miqësore, të Bashës me to.
Shteti gjerman po shkon drejt miratimit të hapjes së negociatave. Hollanda heziton. Për të bërë hezitimin fakt duhej një dosje e re; asgjë tjetër nuk tingëllon më e ndjeshme se fakti që ministri i Brendshëm ka një vëlla të dënuar në njërin nga shtetet e Bashkimit Evropian për trafik droge.

Ndaj, edhe me një shpejtësi të habitshme politike, ata iu drejtuan të gjithë shefave të shteteve evropiane, duke i dërguar denoncimin e tyre, që duket si një denoncim juridik, por në fakt është politik.
A ka përgjegjësi Fatmir Xhafa se çfarë ka bërë vëllai i tij 16 vite më parë?
Asnjë përgjegjësi politike apo juridike.

Në fakt, ai mban përgjegjësi morale, por në postin e tij ai nuk është për moral, por për të vendosur standardet e duhura ligjore në institucionin që drejton.
Rasti Tahiri, edhe nëse del i vertetuar, nuk ka asnjë lidhje me rastin Xhafa. Janë krejt të ndryshëm. Pa asnjë lidhje ligjore, vetjake dhe institucionale mes tyre.

Shtetet demokratike asnjëherë nuk hedhin fajin e njërit mbi tjetrin, në këtë rast të njërit vëlla mbi tjetrin e, shkojnë edhe më tej: të prindërve mbi fëmijët. 16 vite Manfred Rommel ishte kryebashkiaku i Shtutgartit, i biri i kriminelit të luftës së Dytë Botërore, gjykuar pas vdekjes në Nurnberg, gjeneralit nazist, Ervin Rommel. Dhe kishte përkrahjen më të fuqishme të CDU-së dhe të banorëve të saj.

A do të hidhet faji i Agron Xhafës mbi ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafa?

Institucione të rëndësishme euroatlantike janë duke e shqyrtuar rastin e tij, jo nga ana profesionale dhe institucionale, as natyrën e tij politike.

E rëndësishme është të përcaktohet nëse kjo gjendje e tashme, e një ashpërsie të pazakontë politike të opozitës, sa mund të ndikojë në vetë punën e tij dhe nëse ai do të mundet të përballojë këtë trysni që po ushtrohet edhe vetë brenda radhëve të tij.

Fati politik i Fatmir Xhafës nuk mund të vendoset nga opozita e, në këtë rast, as nga njerëzit e familjes së tij.

Është një situatë kur institucioni që ai drejton, dhe deri tani e drejton maksimalisht mirë, duhet të vazhdojë të riformësohet, të ketë edhe më tej të drejtën e vazhdimit të kalimit në një gjendje tjetër, më solide dhe më domethënëse.

Goditjet që i janë dhënë grupeve të ndryshme, e , po ashtu, kufizimi i ndjeshëm jashtëzakonisht në kultivimin e bimëve narkotike janë fillesë e mirë.

Në fund të fundit, cilido që do të ushtrojë një ditë të nesërme funksionin e ministrit të Brendshëm, gjithkush është i bindur se do të jetë objekt i goditjes opozitare.
Deri tani, e majta në pushtet, nuk ka pasur asnjë ministër të Brendshëm, mbi të cilin rëndojnë akuzat e vrasjes, vjedhjes në përmasa të mëdha dhe dhurimit politik të njësive të mëdha të vendit.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com