Loading...

Çfarë thonë Fatos Klosi dhe Petro Koçi për protestën e 26 majit të organizuar nga opozita e bashkuar

Opozita ka planifikuar që të ngrihet në protestë në datën 26 maj nën kauzën e rrëzimit të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, pas lidhjeve që aludohet të ketë vëllai i tij me trafikun e drogës. Mirëpo në rast se kthehemi pas në kohë, plot 22 vite më parë data 26 maj e vitit 1996 do të hynte në histori si dita e zgjedhjeve më të këqija në historinë shqiptare. Kjo ishte ditë zgjedhjesh, por që degjeneroi në dhunë dhe u sulmuan fizikisht shumë qytetarë të thjeshtë, por edhe personalitete të njohur, si: Namik Dokle, Arta Dade, Servet Pëllumbi, etj.

Partia Demokratike u akuzua se në atë ditë dënoi me “vdekje” zgjedhjet e lira, ndërsa si për koiçidenca, opozita ka zgjedhur ta zhvillojë protestën e radhës pikërisht në këtë datë. Për të treguar nëse përzgjedhja e kësaj date është bërë me qëllim për të përkujtuar zgjedhjet e 1996 apo është thjeshtë e paplanifikuar, gazeta kontaktoi me zëvendësministrin e Mbrojtjes, Petro Koçi dhe me ish-kreun e Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi.

Të dy këta personazhe ndajnë mendime të ndryshme për këtë temë. Petro Koçi theksoi se organizimi i protestës së javës së ardhshme është bërë me paramendim. “PD do festojë përgjakjen e zgjedhjeve të 26 majit 1996. Në fakt ajo ditë ka qenë grusht shteti që zgjati efektin e vet vetëm një vit. Por Partia Demokratike nuk ngopet kurrë me bëma të tilla. Prandaj vijoi me 14 shtatorin 1998, me 21 janarin, etj”, deklaroi zëvendësministri i Mbrojtjes.

Ndërsa planin e opozitës për të protestuar të shtunën, ai e konsideroi si një përpjekje për të bllokuar hapjen e negociatave. “Është protestë kundër hapjes së negociatave. PD po kryen luftë pa kompromis kundër integrimit evropian. Gjithë inskenimet e PD janë pjesë e një konspiracioni kundër një interesi strategjik të Republikës së Shqipërisë. Kjo e fundit mund të theksohet. PD, në krye të një konspiracioni kundër hapjes së negociatave, një interesi strategjik themelor”, tha Petro Koçi.

Reagimi i Fatos Klosit

Krejt ndryshe nga Petro Koçi, mendon ish-kreu i SHISH, Fatos Klosi. I kontaktuar po ashtu ditën e djeshme nga gazeta, Klosi nuk e hodhi poshtë mundësinë që një gjë e tillë të jetë menduar nga opozitarët. Por nga ana tjetër, ai theksoi se edhe nëse ky organizim është i vërtetë nga Partia Demokratike, sërish është i pavlerë sepse populli nuk gënjehet më.

“Nuk besoj të jetë bërë me qëllim për 26 majin e 1996. Ata mund ta kenë menduar, por populli nuk e fërshëllen fare këtë gjë. Nuk ka ndonjë pasojë. E përsëris që dikush nga opozita mund ta ketë menduar sepse kanë qejf atë krisjen që ka ndodhur, por nuk besoj se popullit i bëjnë përshtypje këto gjëra. Në të gjitha këto mitingjet më shumë provohen aftësitë e këtyre që organizojnë sesa motivi për të cilin bëhet një gjë e tillë”, tha Klosi.

Më tej, ai komentoi edhe planin e opozitës për të protestuar kundër ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Sipas Klosit, kjo është një kauzë e dështuar dhe qesharake. “Të dalësh në protestë që ministri i Brendshëm të japë dorëheqjen sepse vëllai i vet qenka marrë shumë vite më parë me drogë, më duket e pakuptimtë. Kjo është luftë politike dhe ata do të bëjnë punën e tyre, por nuk më duket serioze me thënë të drejtën. Më duket një kauzë e padrejtë dhe fallso.

Nuk është kauzë lufte kjo që duhet të bëjë një opozitë. Opozita të paktën duhet të bëjë luftë për të treguar se unë jam më e zonja se partia që është në pushtet dhe unë i bëj gjërat më mirë, jo vëllai i këtij është kështu, ky tjetri ka këtë apo atë mik. Kauza e opozitës është qesharake”, u shpreh Fatos Klosi./ SOT

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com