Loading...

BULLGARI – Rusia e gatshme për ndërtimin e centralit bërthamor

Rusia është e gatshme për projektin e ndërtimit të centralit bërthamor në Belene, Bullgari, nëse parlamenti i hap dritën e gjelbër, deklaroi presidenti rus, Vladimir Putin, në një konferencë shtypi, pas bisedimeve me kryeministrin bullgar, Bojko Borisov gjatë një vizite zyrtare në Moskë.

”Kemi diskutuar në veçanti për bashkëpunimin në fushën bërthamore. Rusia është e gatshme të ndërtojë centralin nuklear në Belene, me kusht që autoritetet bullgare të marrin një vendim mbi bazën e rregullave të tregut’’, theksoi Putin.

Ndërtimi i centralit në Belene, në fillim të viteve ’80, në epokën e regjimit totalitar të Todor Zhivkovit, u projektua për dy reaktorë të prodhimeve sovjetike.

Projekti u braktis në 2012 nga qeveria e parë e Borisovit, por muajt e fundit kanë mbërritur dy reaktorë dhe pajisjet e tjera, siç ishte parashikuar në kontratë.

Ndërkohë, Borisov theksoi në konferencë se kishte biseduar me Putinin për mundësinë e mbërritjes në territorin bullgar, të gazit nëpërmjet ”Turkish Stream”. Presidenti Putin iu përgjigj se kishte folur me presidentin Ergogan, i cili nuk ishte kundër kësaj ideje.

Putin theksoi se Rusia dhe Bullgaria ”ishin të indinjuara për anulimin e projektit të gazsjellësit ”South Stream”, që do të mbërrinte direkt në Bullgari nëpërmjet Detit të Zi.

Projekti u anulua në vitin 2014 me kërkesë të Brukselit./  /os/ a.jor.ATSH

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com