Loading...

Brigjet himariote ‘pushtohen’ nga kamperat

Si një nga perlat e turizmit shqiptar Himara ka filluar ti populloj brigjet e saja ranore me pushues të shumtë.

Së fundmi ishin studentët e shkollave të kryeqytetit që ngritën kampingun e tyre në këto brigje. Janë dhe shumë pushues te tjerë që kanë prenotuar hoteleritë e bregut për këtë sezon turistik.

E shtrirë në pjesën jugore të bregdetit shqiptar, qyteza e Himarës ka qenë gjithmonë qendër e një zone që ka përfshirë jo vetëm fshatrat e jugut, por edhe Labërinë e Kurveleshin. Ajo përmendet që në kohët e lashta ku paraardhësit ishin fisi Ilir i Kaonëve, por historia moderne duket se fillon në 1199, kur në qytet u vendos sundimi i Venedikasve.

Zona ka qenë gjithmonë me një popullsi autoktone shqiptare, kryesisht me origjinë nga ajo që sot njihet si zona e Labërisë dhe duke filluar që nga shekulli i XV edhe me të ardhur nga zonat e Mirditës dhe e Krujës pas vdekjes së Skënderbeut.

Qyteti i vjetër i Himarës, ka disa vepra historike dhe kulturore si Kalaja e Himarës, një monument i rëndësishëm historie dhe kulture. Në kështjellë ekzistojnë shenja të pranisë së pandërprerë të banorëve vendorë Iliro-Shqiptarë për më shumë se 3500 vjet. Në këtë kështjellë ka disa objekte kulti si kisha e “Shën Marisë” me ikonën e Shën Marisë që konsiderohet çudibërëse. Në kohë thatësirash ikonën Himarjotët e nxirrnin për litani (lutje) popullore. Populli dikur lutej para saj për të rënë shi. Gojëdhëna thotë se shpeshherë çudia ndodhte. Ndërsa sot përbënë një kuriozitet për turistët.

Kisha Episkopale, një kishë e stilit Bizantin. Para ndërtesës së sotme të kësaj kishe, në portën e saj, ekziston basoreliefi prej mermeri me shqiponjën dykrenare Iliro-Shqiptare. Ndërtesa e Kishës Episkopale i ka themelet mbi një ndërtesë të vjetër që ishte faltorja e Apolonit të Ilirisë.

Kisha e Gjithë Shenjtorëve,ndërtuar më 1775 në hyrje të kalasë. Sot kjo kishë e rindërtuar funksionon si Mitropolia e Himarës.

Manastiri i Shën Marisë, gjendet atje ku fillon rrugën e tij rrëzë malit përroi i Gjipesë, në lindje të fshatit Ilias. Në lashtësi, ne epokën prekristiane, ka qenë një faltore e perëndeshës Artemis. Atje shkohet vetëm me këmbë nga Iliasi, përgjatë bregut të thatë të përroit të Gjipesë.

Manastiri i Shën Theodhorit dhe disa objekte të tjera kulti që vizitori mund ti gjej me lehtësi në Himarë.

Në Jug të Himarës, në një gadishull të vogël, brenda gjirit të sigurt me të njëjtin emër, ndodhet kështjella e Bukur, e ndërtuar në fillim të shekullit 19-të nga Ali Pashai i Janinës dhe që sot ruhet në gjendje shumë të mirë. Kështjella është ndërtuar në vendin e gërmadhave të një kalaje të vjetër dhe të një manastiri që ekzistonte atje.

Në vendin ku gadishulli lidhet me tokën ndodhet kisha e Shën Nikollës, për të cilën ekzistojnë shumë legjenda dhe histori për ndërtimin e kështjellës.

Afër fshatit Borsh, në majën e kodrës, gjënden gërmadhat e kështjellës Shqiptare te Sopotit. Rruga për të vajtur atje është e vështirë dhe shkohet vetëm në këmbë.

Një tjetër histori misterioze gjëndet në veri të Himarës. Anës detit ndodhet një shpellë e madhe, në të cilën mund të hysh vetëm nga deti. Mjedisi është interesant dhe bregu ideal për të bërë banjë në grupe të vogla familjare ose shoqërore. Legjenda flet se kjo shpellë dikur ishte strëhe e piratëve.

Himara mbi të gjitha shquhet për plazhet e saj shumë të bukur, shumica me zalle por edhe me rërë te bardhë e të imët.

Spilea, është plazhi qendror i Himarës, me shumë vizitorë në verë, më tutje janë Prino, Potami, Filikuri, më në Jug Llamana, Qeparoi, Borshi, brigjet e Piqernit (Buneci), Lukova dhe Kakomea.

Poshtë kalasë së Himarës ndodhet Livadhi dhe në veri Jali, Fusha, Ziso, Gjipea, Karkaniqi, Dhërmiu, Palasa dhe Dhralea. Në shumë vende në brigjet e Himarës, uji është shumë i ftohtë, për shkak të ujërave nëntokësorë. Po të largohesh disa dhjetra metra nga këto pika temperatura e detit merr vlerat natyrale.Në muajt e verës, Plazhet e Himarës mbipopullohen nga pushuesit.

Turisti në zonën e Himarës do të gjejë det e qiell të pastër, brigje ranore të ngulura në shkëmb, objekte kulturore dhe historike,monumente të natyrës dhe një kulinari të veçantë detare. Himara është perla detare e Shqipërisë./Atsh

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com