Loading...

Bogova, sipari i malit të shenjtë !

Mali i Tomorrit është një nga më të pasurit në flore e faunë e në të njëjtën kohë është edhe një nga më të respektuarit në vend për shkak të vendit të shenjtë që ka në majën e tij. Bukuritë janë të mrekullueshme dhe sigurisht fshatrat që e rrethojnë, mbajnë një pjesë të asaj çfarë ai është. Një prej fshatrave më të njohur në këtë zonë për bukuritë e pamasa, është edhe Bogova, ajo është vendosur në të djathtë të lumit Osum dhe ndodhet pikërisht poshtë prehrit të malit të Tomorrit.

Bogova është vendpushimi perfekt ku mund të gjesh burime ujore e malore, që derdhen në lumin Osum të rrethuara këto nga një pyll masiv pemësh. Është peizazh karakteristikë shqiptar , ku ndërthuren natyrshëm bimësia barishtore në shtratin e lumit, rrapet e pishat e larta. Nuk ka më mirë sesa të shijosh ujin e ftohtë me mishin e qengjit në hell të shoqëruar me rakinë e famshme të Skraparit që deri më tani nuk gjendet e dytë. Gjelbërimi i pyjeve shtrihet nga të gjitha anët, deri tek “Rezervati i Bogovës”, pyll i cili sipas banorëve të zonës ka qenë i preferuar për gjueti nga ish-udhëheqja e kohës së komunizmit. Rezervati zë një sipërfaqe prej 350 hektarësh pyll, ku nuk mungon derri i egër, lepujt e dhelpra.

Peizazhi i Bogovës ka vlera mjedisore të pa zëvendësueshme dhe tepër shplodhëse për vizitorët e shumtë, që marrin rrugën për të kaluar një kohë të shkurtër me bukuritë e natyrës.

Në Bogovë ndjen vërtetë bukurinë, misterin dhe mrekullinë, ëndrrën dhe ashpërsinë e jetës midis ngjyrave të shkëlqyera të natyrës, ku fare lehtë mund të ndiesh të fryjnë vetëm erërat e lira.

E ndodhur në lartësinë 265 metra mbi nivelin e detit Bogova ka një klimë të freskët. Me malin që i bën hije, ujin që zbret nga brendësia i tij dhe gjelbërimin nga të gjitha anët, përbëhet nga tetë fshatra dhe njihet për bimët medicinale e pllakat e gurit.

Bogova, quhet ndryshe edhe si porta hyrëse e turizmit pasi pret e përcjellë  gusht besimtarët bektashi të cilët ngjiten në malin e shenjtë, malin e perëndive e të Dodonës Pellazgjike. Tomori është quajtur mal mbretëror nga vizitorët, e ndërsa nga besimtarët quhet Baba Tomori. Nuk ka mal tjetër në botë që të quhet baba, por këto ndodh, ai është mali i mrekullive.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com