Vitet e fundit, shkencëtarët kanë ngritur shqetësimin e pakësimit të bletëve. Disa mund të mendojnë se kjo do të thotë “lamtumirë mjaltë natyral”, por në fakt është shumë më e thellë se kaq. Zhdukja e bletëve do të çonte edhe njerëzimin drejt fundit. Kjo sepse nga 100 llojet të kulturave që na japin 90% të ushqimit, 70% pllenohen nga bletët. Pra ato janë iniciueset e riprodhimit të bimëve, sepse bëjnë të mundur transferimin e polenit nga thekët te pistili.
Sipas Greenpeace, rreth 40% e bletëve që përdoren për prodhimin e mjaltit janë zhdukur që prej vitit 2006 në SHBA. Kjo për shkak të fenomenit që njihet si “kolapsi i kolonive” dhe ka të bëjë me zhdukjen e papritur të bletëve punëtore. Arsyet janë ende të panjohura, po ekspertët dyshojnë për faktorë si infeksione të ndryshme, rritja e urbanizimit, shkatërrimi i habitateve apo përdorimi i shtuar i pesticideve.
Të gjendur para një kërcënimi të tillë, shkencëtarët po i drejtohen për ndihmë teknologjisë. Eijiro Miyako në Institutin Kombëtar të Shkencës dhe Teknologjisë Industriale të Avancuar në Japoni udhëheq një ekip që po punon për zëvendësimin e bletëve me dronë. Këta të fundit janë pajisje me përmasa rreth 4 cm, të mbuluara me qime kali të lyera me një xhel që do të bëjë të mundur mbledhjen e polenit.
Studiuesit thonë se ky lloj droni mund të përdorë inteligjencën artificiale për të identifikuar në mënyrë të pavarur lulet. Deri tani kjo teknikë ka rezultuar e suksesshme me zambakët japonezë.
Por nëse dronët nuk do të arrijnë ta kryejnë funksionin e bletëve, atëherë alternativa është një metodë jo kaq teknologjike. Pluhurosja me polen konsiston në hedhjen e polenit nga aeroplanët mbi sipërfaqet me bimësi. Por as kjo nuk do të ishte zgjidhje përfundimtare. Sipas një studimi të kryer nga MIT, pluhuri i polenit është efektiv për disa kultura, por jep rendiment më të ulët të frutave sesa pllenimi natyral.
Një metodë tjetër akoma më primitive është ajo e lyerjes së bimëve me dorë me anë të një furçe me polen. Në Hanyuan, një rajon malor në provincën Sichuan në jugperëndim të Kinës, që prej viteve ’80 rriten dardhë duke përdorur teknika të pllenimit me dorë. Tradita zuri fill kur bletarët lokalë refuzuan të merrnin me qira bletë për pllenim të natyrshëm, pasi mësuan se po përdoreshin insekticide për të vrarë merimangat në pemë.
Asnjë nga këto alternativa nuk është pa kosto. Pllenimi me dorë për një sipërfaqe 1 hektar kërkon 120 ditë punë për një punëtor. Nëse llogarit koston e këtij procesi për 153 mijë ha pemishte me mollë në SHBA, ajo do të ishte 876 milionë dollarë, një shumë astronomike kur e krahason me punën me kosto zero që bëjnë bletët.
Sipas një studimi, ekonomia botërore kursen nga pllenimi natyral një shumë prej 265 miliardë euro. Por edhe nëse kjo kosto do të ishte e mundur të mbulohej, sërish rezultati nuk do të ishte i njëjtë me atë të punës së bletëve.
Mënyra më e lehtë mbetet shpëtimi i vetë bletëve. Ekspertët thonë se rrugët më efektive për ta bërë janë ndalimi i pesticideve, fungicideve dhe herbicideve dhe mbjellja e bimëve që i duan bletët. /Përgatiti: Gazmira Sokoli