Loading...

BALADË PËR TRAGJASIN E VJETËR / Nga Guri Shyti

BALADË PËR TRAGJASIN E VJETËR

Sërish erdha nga ku nisa
Vitet e para të jetës.
Të sodis njerëz dhe vise
Të ndjej zukamën e bletës.

Të dëgjoj si i mahnitur
Si i bje culës bariu.
Më kujton rinin’ e ikur,
Që s’kthehet më te njeriu.

Ja dhe retë lart në qiell,
Të njëjta si atëherë.
Sa kujtime që më ndiell
Ky kalavesh manaferre.

Te ky rrap e te ky krua
Përherë etjen fashitëm.
Ky ësht’ fshati që për mua
Bota nuk e ka të dytë.

Ja dhe pylli, ja lugina,
Dhen e qingja më nuk ka,
S’u dëgjohet blegërima
Që nga veshët s’m’është ndar.

I etur bredh dhe hedh sytë
Mos dikush më vjen përballë.
Në grykë një lëmsh më mbyti,
Se nuk shoh njeri të gjallë.

Veç gërmadha. Ferrat gjëmbat
Sokakët kanë mbuluar.
Kjo plagë zemrën ma shëmbi,
Plagë që s’ka të shëruar.

Ulem në prag të shtëpisë,
Dhe kokën mbështjell në duar.
Përreth mure të vithisur,
Çati nga zjarri shkrumbuar.

Dhe kujtoj unë gjallërinë
Që Tragjasi dikur pati.
Kujtoj Babën, nënën Minë
Që s’më ndahen ditë e natë.

Shoh përreth se mos gjej shokët
Që fshatin e mbanin gjallë
Sytë po m’i mbytin lotët
Ku të jenë ata vallë?

Lojërat e fëminisë,
Çantat me libra dhe shkollën,
Burrat shenj’ e urtësisë,
Vajzat dhe gratë mes-holla.

Tragjasi dikur ka qenë
I varfër, ashtu vërtet,
Veç buqja dëgjohej rëndë
Dhe fusha kish bereqet.

Pasuria e Tragjasit
Ishin njerëzit e mirë,
Që nga Shtegu i Thanasit
Deri në Shpardh e në Rrira.

Kish shkollën me pesë klasë
Që s’e kish e gjithë Vlora
Si bedenat e kalasë
Ish… Por s’është më e gjora.

Nga bankat e asaj shkolle
Dolën shumë djem të ditur.
Dijetarë mendjehollë,
Shqipërinë për të ndritur.

Si Skënderi, Yzeiri,
Fejzo, Tanushi, Halimi,
Sinan Hoxha dhe Tahiri,
Apo Abaz Fejzo trimi.

Nuk përmenden dot të gjithë,
Lista është shumë e gjatë.
Janë të tutë e të mitë,
Që historia do mbartë.

Burrat mblidheshin te bregu,
Flisnin burrërisht e shtruar,
Qanin hallet edhe brengat,
Që jeta u kish blatuar.

E ç’të them më parë i shkreti
Për fshatin që s’është më.
“Ku e lamë e ku na mbeti”,
Duket se dëgjoj një Zë.

Po iki o fshat i dashur,
Po të lë jo me dëshirë,
Duke t’thënë mirupafshim,
S’ma nxe goja “lamtumirë”.

GURI SHYTI, maj 2018

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com