Një ngjarje tejet e rëndë ka ndodhur në Fier. Tre të rinj të moshës 22 dhe 24 vjeç rrëmbyen një vajzë të mitur 13 vjeçe nga një familje e varfër, dhe tentuan ta përdhunojnë. Mësohet se ka qenë babai ai që ka shkuar i pari në banesën e braktisur ku tre djemtë kishin futur vajzën e mitur. Ai ka dëshmuar në polici se e ka gjetur të bijën në gjendje shoku.
Policia ka vënë në pranga autorët: Redion Tereziu, 22 vjeç; Jorges Dosti, 24 vjeç; Marjus Çalameni, 24 vjeç. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Arapaj të Roskovecit, ndërsa autorët janë nga fshati Vlosh, Roskovec.
Tre autorët janë larguar me shpejtësi pasi aty ka mbërritur babai i vajzës, por Policia arriti ti vërë në pranga në kohë të shkurtër. Nga dëshmitë e banorëve të zonës, mësohet se familja e vajzës është në gjendje shumë të vështirë ekonomike.
Në njoftimin për mediat policia e Fierit thotë: Tre personat e arrestuar, Redion Tereziu, 22 vjeç, Jorges Dosti, 24 vjeç dhe Marjus Çalameni, 24 vjeç kanë marrë me forcë të miturën dhe e kanë çuar në një banesë të pabanuar. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, ku mbi tre të rinjtë rëndon akuza e “Heqje e paligjshme e lirisë” dhe “Marrëdhënie seksuale me të mitur” e mbetur në tentativë.