Loading...

Audio- përgjimi i ”Babales” për të futur në kurth vëllain e Fatmir Xhafajt. Historia është ndryshe nga sa paraqitet

Si nisi investigimi në Vlorë për të futur në kurth vëllain e ministrit?

Si u lidh PD me Albert Veliun dhe çfarë i premtoi apo i dha në këmbim të bërjes pjesë në investigim? A është deputeti i PD strumbullari i gjithë kësaj historie që ngjason shumë me atë të Durim Bamit?

Përse gazetari nuk e publikoi në media punën e tij investigative, por e çoi te Partia Demokratike? A do ta dorëzojë videon e plotë në prokurori?

Ka një shprehje që përdoret shpesh për gazetarët se “lajmësi nuk preket”. Kjo sidomos kur publikon informacione apo të dhëna që i shërbejnë publikut.

Nisur nga kjo edhe deputetët demokratë nuk ngurruan që audio-përgjimin t’ia faturonin punës së gazetarëve, kur deputetët Enkelejd Alibeaj dhe Ervin Salianji në dy televizione të ndryshme deklaruan se përgjimi është bërë nga gazetarë. Top Channel me një kronikë në lajmet e djeshme publikoi dhe gazetarin që fshihej pas këtij përgjimi.

Sipas tyre, “ai është Jetmir Olldashi, i cili aktualisht administron portalin online “Boldnews”, si dhe është pjesë stafit të emisionit “Ajsberg” që drejtohet nga gazetari Artur Çani. Ndërsa më herët ka qenë pjesë e stafit të emisionit “Të Paekzpozuarit” të Ylli Rakipit gjatë kohës kur emisioni transmetohej në “Ora News” dhe “News 24”.

Kolegët e tij thonë se më herët, ka punuar edhe pranë Autoritetit të Mediave Audiovizuale. Partia Demokratike u kujdes ta shmangte emrin dhe fytyrën e tij gjatë transmetimit të intervistës me Albert Veliun, por kolegët që e njohin e identifikuan nga zëri dhe ai vetë nëpërmjet telefonit e konfirmoi se është autori i kësaj interviste, por ende mbetet mister kush është gazetari që sipas Enkelejd Alibeajt, realizoi përgjimin”.

Kjo kronikë tregon vetëm pjesën e intervistimit të Albert Veliut në selinë e PD, por nuk thotë se është po i njëjti gazetar që ka bërë dhe përgjimin në Vlorë.

Gazetari Artur Çani i cili tashmë është shefi i Olldashit zbardhi në studion e emisionit “360 Gradë” detaje të reja lidhur me audio-përgjimin e “Bashkëpunëtorit X” me vëllain e Ministrit të Brendshëm, Agron Xhafaj.

Çani tha se biseda është regjistruar në tetor të vitit të shkuar. Sipas tij, një muaj më parë, shtator 2017, një gazetar kishte hyrë në kontakt me Albert Veliun përmes një personi të Partisë Demokratike.

Gazetari tha se i gjithë regjistrimi është 5 minuta, ndërkohë që deri tani është bërë publike vetëm 1 minutë e pak nga audio-përgjimi.

Por dhe kjo është vetëm një pjesë e së vërtetës, pasi edhe mediat zgjedhin të japin gjysmë të vërtetën duke ngritur edhe më shumë mjegullnajën e kësaj ngjarje që po hetohet nga prokuroria nga Krimet e Rënda.

Burime për DITA nga kjo Prokurori bëjnë me dije se dëshmitari kyç që është Albert Veliu dhe njerëz pranë tij kanë nisur të flasin.

Historia është më ndryshe nga sa paraqitet. Fillimisht Veliu është kontaktuar nga një deputet i PD, që është Ervin Salianji. Ai është ftuar edhe në protesta të PD kundër qeverisë.

Falë regjisë së deputetit Salianji dhe të Gazmend Bardhit është komanduar një gazetar. Nuk dihet sesi gazetari dhe Albert Veliu (Babalja) mund të kenë takuar Agron Xhafën, por burime pranë prokurorisë, bëjnë me dije se nga analiza e qelizave telefonike, Babalja nuk rezulton të jetë takuar me Agron Xhafajn.

Disa muaj më vonë PD duke përdorur Babalen dhe gjendjen e tij tejet të vështirë ekonomike kanë provuar sërish për të komunikuar me vëllain e ministrit.

Duke arritur t’i nxjerrin disa fjalë atij nga telefonatat është bërë një bashkim i fjalëve dhe i bisedës duke nxjerr në finale audion që publikoi PD.

Informacionet e mësipërme janë tashmë duke u administruar nga Prokuroria ndërsa Babalja dhe Agron Xhafaj kanë lënë zërin e tyre për t’u bërë ekspertiza.

Por disa pyetje që lindin pas kësaj janë:

–Si ra në kontakt Salianji dhe Bardhi me Albert Veliun?

-Çfarë i premtoi apo i dha në këmbim të bërjes pjesë në investigim?

-A është deputeti i PD strumbullari i gjithë kësaj historie që ngjason shumë me atë të Durim Bamit?

-Përse gazetari nuk e publikoi në media punën e tij investigative, por e çoi te Partia Demokratike?

-A do ta dorëzojë videon e plotë në prokurori?/DITA

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com