Loading...

Arta Marku gati planin për të luftuar krimin dhe korrupsionin në nivele të larta. Hetim pasuror për Berishën, Llallën dhe ish-ministrat e PD

Kryeprokurorja Arta Marku ka bërë gati planin për të luftuar krimin dhe korrupsionin. Edhe pse ajo është emëruar në mënyrë të përkohshme, ka hartuar një strategji afatmesme 2018-2020, me qëllim goditjen e korrupsionit në nivele të larta dhe luftimin e krimit të organizuar.

Në këtë strategji parashikohen një sërë lëvizjesh gjatë muajve në vijim, që nga trajnimet, te ngritja e grupeve hetimore me partnerët, e deri te kontrolli pasuror për pushtetarët shqiptarë. Prokuroria ka bërë të ditur se për çdo zyrtar me dosje në prokurori dhe që është nën hetim për abuzime me detyrën, do të ketë dhe verifikim të pasurisë sa i takon ligjit anti-mafia.

Momentalisht janë duke u hetuar nga organi akuzës disa zyrtarë të lartë për shpërdorim detyre, që nga ish-ministri Saimir Tahiri, te ish-drejtori i Rrugëve Dashamir Xhika, ish-kryeprokurori Adriatik Llalla, e deri te Sali Berisha, djali i tij dhe disa ish-ministra të PD, pasi këta të fundit janë nën hetim për aferën e CEZ. Kjo do të thotë se të gjithë këta emra, nëse rezulton se kanë kryer një vepër penale, automatikisht do kalojnë në sitë dhe për pasuritë e tyre. Kushdo që ka pasuri të dyshimta mund t’i sekuestrohet.

“Do të synojmë rezultate më të larta nëpërmjet hetimit pasuror, nëpërmjet zbatimit të ligjit nr. 10192/2009, (ligji anti-mafia) të përmirësuar nga ndryshimet e vitit 2017 në drejtim të hetimit dhe masave të mëposhtme: Zhvillimi i hetimeve financiare paralelisht me çdo hetim për vepra penale të rënda, falsifikim dhe për vepra penale që lidhen me detyrën; Shfrytëzimi i teknologjisë dhe kapaciteteve hetimore-financiare të institucioneve si tatime, dogana, banka etj.”, thuhet në strategji.

Angazhohen ndërkombëtarët

Një tjetër plan i Prokurorisë së Përgjithshme është se do të ketë rritje të bashkëpunimit me vendet partnere sa i takon hetimeve të rëndësishme, sidomos të bandave kriminale. Parashikohet që të arrihet deri aty sa për çështje të caktuara të ngrihen dhe grupe të përbashkëta hetimore. “Synohet: Ngritja e skuadrave të përbashkëta hetimore; Organizimi i trajnimeve për krijimin dhe funksionimin e skuadrave të përbashkëta hetimore”, theksohet në strategji. Po ashtu synohet rritjen e bashkëpunimit ndërkombëtar për të identifikuar, ngrirë, sekuestruar e konfiskuar asetet kriminale. Kjo do të arrihet përmes organizimit të trajnimeve për njohjen me instrumentat ndërkombëtare në këtë fushë dhe shkëmbimin e eksperiencave më të mira.

Monitorim prokurorëve

Prokuroria ka parashikuar të rrisë monitorimin ndaj prokurorëve. Kohët e fundit ka pasur shumë akuza ndaj punën së tyre, sidomos gjatë kohës që drejtoheshin nga Adriatik Llalla. Prokuroria ka garantuar se do të bashkëpunojë me KLP për hetimin disiplinor të tyre. “Ne do të jemi aktivë në forcimin e integritetit të prokurorit dhe garantimin e pavarësisë së tij, duke siguruar nga ana tjetër monitorimin e kujdesshëm e në përputhje me ligjin të veprimtarisë së prokurorit.

Në këtë drejtim do të realizojmë objektivin përmes masave si vijon: Garantimi i ndihmës në procesin e rivlerësimit kalimtar të prokurorëve; Bashkëpunim me Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë në procesin e vlerësimit profesional dhe hetimin disiplinor të prokurorëve; Përmirësimi i kushteve dhe mjediseve të punës në prokurori; Zhvillimi i trajnimeve periodike vjetore mbi çështje të etikës”, thuhet aty. Një tjetër plan është që tani sektori i ekspertizës do të ngrihet në të gjitha prokuroritë e vendit. /SOT

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com