Loading...

Anila Toto – Tufë me poezi !

Anila Toto – Tufë me poezi


Kur pi kafe,
ai
me një dorë
numëron
qindarkat në xhep.

Sapo unë afrohem
merr një pamje…
Thua
se është mbret!

Shih…

Shih drita si zbret ashtu e praruar
E më bëhet pjesë e pandashme.
Thua sikur ëngjëjt tashmë më kanë kuptuar
E ofrohen të sjellin pak paqe.

Ndonjëherë vetëbraktisemi dalëngadalë,
Ndërsa s’kuptojmë pse s’na mjafton epoka,
Zbret një dritë nga zoti kur gjithçka bëhet natë
Dhe ëngjëjt na rrijnë tek koka…

Biri im

Biri im,
në iksha
ku shkojnë
e rrijnë të lumturit,
ti fli, e
mos qaj më kot.

Nëpër ëndrra
pushojmë
së dhemburi.

E zgjohu
kur të jesh
më i fortë!

Trumcakë

Në mëngjeset gri
trumcakë të trembur fluturojnë
në drejtime të paqarta pasigurie e inati.
Kështu nisin të gjitha arratitë
nga stuhitë e fati.

Pastaj lodhemi e ndalojmë diku
në një drejtim të papërcaktuar,
të mbledhim fuqitë e të gjejmë një mik
për të na kuptuar.

Pas shirave del prapë dielli,
me një shkëlqim ku e vërteta humb,
kështu lëmë pas gjithçka që dhembi,
e nisim të fluturojmë prap në tufë.

Anila Toto

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com