Ndonjëherë mrekullitë mund t’i kërkosh shumë lartë, e në të vertetë ato ndodhen këtu afër nesh, ashtu siç është edhe ky qytet antik, qyteti Amantias. Amantia është një nga qytetet, sigurisht më të vjetër të kohës, por që me rrënojat e saj ka ardhur deri në ditët tona me të njëjtën madhështi. Ky qytet gjendet në kodrinën mes rrjedhës së dy lumenjve me një shtrirje deri në Detin Jon.
Në verilindje kufizohet nga lumi Vjosë i krahinës Mallakastër, e ndërsa në jugperëndim shtrihet lugina e lumit Shushicë. Rrënojat dhe gjurmët e tij në ditët e sotme i gjejmë në fshatin Ploçë të rrethit Vlorë, rreth 34 km larg nga qyteti i lashtë i Aulonës.
Sipas studimeve arkeologjike të bëra në zonë, Amantia shfaq tiparet e një qytetërimi 1 mijë vjeçar. Mendohet se ky qytetet është themeluar rreth viteve 350 para Krishtit, dhe ka mundësi të jetë ndërtuar nga fisi ilir i Taulanteve, që ka dominuar ushtarakisht në rajon nga Epidamni deri ne gadishullin e Akrokerauneve ( Karaburun).
Kjo fortesë e madhe dhe e fuqishme, kishte dy porta kryesore dhe dy kulla mbrojtëse në veri dhe sigurisht që ka luajtur një rol të rëndësishëm mbrojtës që nga lugina e lumit të Vjosës, në drejtim të lindjes, duke shkuar kështu deri në Gjirin e Vlorës.
Qyteti i Amantias, ndryshe nga shumë qytete ilire të vendosura më në veri me një kulturë primitive, u zhvillua shumë shpejt ekonomikisht, nga ana kulturore si dhe duke pasur edhe një rol të rëndësishëm ushtarak dhe politik, që i jepte një rol dominant në rajon.
Sipas të dhënave të mbledhura në shekullin e IV p.e.s, thuhet se Amantia nga një vendbanim i thjeshtë, kthehet në një qytet të mirëfilltë dhe në një nga qendrat më të rëndësishme skllavopronare.
Ajo ka qenë qendra e një bashkësie ekonomike, shoqërore dhe politike që njihej me termin grek Koinoni (lidhja) Amant, e cila shtrihej përgjatë luginës së Shushicës deri në Borsh në jug. Koinoni përfshinte edhe bregdetin e sotëm të Vlorës nga laguna e Nartës deri në Ujin e Ftohtë, ku përfshiheshin edhe qytetet e Aulonës (Triporti) dhe Kaninës (Throni).
Të tjera qendra që bënin pjesë në këtë formacion ishin edhe Olimpia (Mavrova), Hajdëraj, Dukaj, Matohasanaj, Cerja, Borshi etj. Si shumë qytete ilire edhe Amantia kishte legjendën e saj mbi themelimin. Sipas saj, të cilën e citon Pausania, qyteti u themelua nga abantët që u larguan nga Troja, pas shkatërrimit të saj, kurse Likofroni thotë se qyteti u themelua nga abantët e Trojës të drejtuar nga Helefenori. Me të tilla legjenda për themelimin ishin mbushur edhe qytetet e tjera fqinje si Oriku dhe Bylisi.
Amantia ishte qyteti kryesor i Koinonit, qendra politike, ekonomike, shoqërore, kulturore etj. Në të kryqëzohej një rrjet i dendur rrugësh që lidhnin Apoloninë me Bylisin dhe më tej me Epirin. Të ardhurat kryesore ekonomike vinin nga blegtoria dhe tregtimi i lëndës drusore, pasi malet përreth ishin të veshur me pyje. Në vitet 260 p. K. – 168 p. K., Amantia nxori edhe monedhat e saj prej bronzi me nënshkrimin “Amantion”.
Lidhjet kryesore ekonomike qyteti i kishte me Apoloninë dhe Epirin. Ndërkohë, nuk dihet se si kanë qenë marrëdhëniet me Apoloninë, e cila shfrytëzonte minierën e serës së Selenicës, e cila gjendej në territorin amantin. Mbishkrimet e gjetura dëshmojnë një mirorganizim të strukturës shtetërore, ku ndeshen një sërë nëpunësish dhe institucionesh si: prytani, agonoteti, epimeleti, këshilli, sekretari i tij, këshilltarët etj., kurse nga strukturat ushtarake ndeshim toksarkun, komandantin e shigjetareve.
Amantia kishte një sipërfaqe prej 15 ha dhe shtrihej përgjatë një kodre, e rrethuar e gjitha me mure që arrinin gjatësinë 2200 m. Për vetë kushtet e ndërtimit në një terren të tillë, qyteti kishte formën e një trapezi gjatësor.
Pikërisht në këtë hapësirë gjendeshin ndërtesat, tempujt, stadiumi, akropoli, teatri, gjimnazi etj. Nga monumentet me të ruajtura në Amantia është pa dyshim stadiumi i cili është një nga treguesit e zhvillimit të qytetit. I zbuluar nga arkeologët, ai ka formë katërkëndëshi të stërzgjatur, me gjatësi të krahëve që shkojnë nga 40.40 m deri në 54.50 m.
Ka të dhëna që flasin se qyteti ilir pësoi një bum me ndërtime, të veçantë të cilat i përshtaten zonës kodrinore ku shtriu gjymtyrët qyteti antik. Godinat me karakter publik u ndërtuan në tarraca u rrethuan me mure. Qyteti kodrinor i Amantias përbënte një pamje të veçantë, por dhe krejt të ndryshme nga qytetet ilire dhe ndryshimi vihej re tek ndërtimet në sheshe tarracash.
Gjatë shekujve të III-II p.e.s qyteti ilir i Amantia njihet një qytet me zhvillim shumë të madh, por pas zaptimit të tij nga pushtuesit romak në shekullin e I p.e.s qyteti kodrinor fillon që t’i zbehet madhështia që kishte deri në atë kohë. Pas këtij shekulli fillon dhe rënia e ngadaltë e qytetërimit.
Dëshmi, gjurmët e këtij qytetërimi, sot i gjen te muret rrethues, nekropoli, stadiumi, tempulli i Afërditës, varrezat por stadiumi është me 4000 vende është pjesa e ruajtur më mirë.
Mund të vizitohet duke ndjekur intenerarin Vlorë-Qishëbardhë -Drashovicë-Kotë-Vajzë-Ploçë. /Konica.al