Tre pedagogë të universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan u arrestuan të martën në mbrëmje me akuza të “korrupsionit pasiv” dhe “ushtrimit të ndikimit të paligjshëm”, ndërsa dyshohen se kanë marrë para nga studentët në këmbim të notave kaluese. Prokuroria dhe Policia e Elbasanit njoftuan po ashtu arrestimin e katër personave të tjerë, që sipas policisë luanin rolin e sekserit mes pedagogëve dhe studentëve.
Në një njoftim për shtyp, prokuroria deklaroi se pas rreth 8 muajsh hetime ishte marrë masa e sigurisë së arrestit me burg nga Gjykata e Shkallës së Parë, për dekanin e fakultetit të Shkencave Humane Albert Riska, Shefen e Departamentit të Letërsisë dhe Gazetarisë, Elvira Lumi, pedagogen e jashtme të Fakultetit Ekonomik, Erjola Calja. Po ashtu u arrestuan edhe Petrit Kodra, Admirim Kala, Adem Ngjela dhe Marjus Calja.
Ndalimet u kryen menjëherë pas vendimit të gjykatës, nga policia në një operacion të pagëzuar “Dekani”.
BIRN kontaktoi me avokatin e dy prej pedagogëve të arrestuar, por ai refuzoi të komentonte duke thënë se ende nuk ishte njohur me dosjen. Ndërkohë nuk qe e mundur të gjendeshin përfaqësuesit ligjorë të personave të tjerë të arrestuar.
Ndërkohë drejtuesit e Universitetit Aleksandër Xhuvani njoftuan për pezullimin e tre pedagogëve “deri në sqarimin e rrethanave dhe përfshirjes së tyre në veprat penale për të cilat akuzohen”. Dy prej të arrestuarve ndërkohë mbanin poste drejtuese në universitet. Prof. As. Dr. Alber Riska, u zgjodh dekan në zgjedhjet e vitit 2016, ndërsa Prof. As. Dr. Elvira Lumi u rizgjodh drejtuese e Departamentit të Letërsisë dhe Gazetarisë në të njëjtat zgjedhje.
Një studim i kryer nga OJF-ja “Qëndresa Qytetare”, në fakultete të ndryshme në Tiranë, Elbasan dhe Durrës për të kuptuar nivelin, perceptimin dhe format e korrupsionit në këto universitete kryesore në Shqipëri, gjeti se Universitetit Aleksandër Xhuvani në Elbasan kishte normën më të lartë të pranisë së korrupsionit (77 për qind), pasuar nga Universiteti i Tiranës (62 për qind) dhe ai i Durrësit (42 për qind), sipas pikëpamjeve të studentëve.
Prokuroria bëri me dije se hetimi për këta persona ishte filluar kryesisht prej saj në shtator 2017, ndërsa ishin bërë bashkë me procedime të tjera penale në kohë të ndryshme ndaj të akuzuarve, ndërsa po ashtu theksohet se ishte përdorur përgjimi për të mbledhur prova ndaj të dyshuarve. “Në kuadrin e zbardhjes së rrethanave të faktit nga prokuroria janë përdorur metodat speciale të hetimit për grumbullimin e provave”, thuhet në njoftim.
Prokuroria dhe policia po ashtu lanë të hapur mundësinë e arrestimeve të tjera, ndërsa thanë se hetimet për këtë dosje vijonin.